KORONAVIRUS

Vazhdojnë masat kufizuese: Skenari që mund të rikthejë mbylljen në fundjavë

Shkruar nga Anabel

2 Dhjetor 2020

Vazhdojnë masat kufizuese: Skenari që mund të rikthejë
Photo Courtesy/ Exit.al

Tri javë më parë, Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi vendimin për kufizim orari të lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, vendim i cili do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Në një konferencë për mediat, përfaqësues të Komitetit Teknik, pas mbledhjes së zhvilluar, deklaroi se masat janë të nevojshme.

“Përsa i përket situatës epidemiologjike, vendi sërish po vijon me një intensitet të lartë të përhapjes së Covid. Incidenca 2 javore përsëri vijon e lartë, nga 254 raste për 100,000 banorë në 347 raste në 100,000 banorë. Duhet të theksohet se qarku që mban peshën më të madhe të rasteve të konfirmuara është Tirana, e ndjekur më pas nga Gjirokastra dhe qarku i Lezhës. Kemi një transmetim të lartë komunitar.” – tha Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Në vijim të komunikimit, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, tha:

“Duke u bazuar në vlerësimin e këtyre indikatorëve, Komiteti i Ekspertëve sot bëri një analizë të thelluar të shifrave në lidhje me masat e marra dhe në mbledhjen e zhvilluar më parë, Komiteti mori vendimin unanim për t’i zhvilluar këto masa.”

Pra, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet me më shumë se 10 persona në ambiente të hapura dhe të mbyllura si edhe mbledhjet partiake, tubimet, konferencat, ceremonitë e festave, martesore dhe ceremonitë mortore përtej atyre familjare. Do të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 06:00 (me përjashtim të emergjencave dhe arsyeve të punës).

Masat e marra do të jenë pa afat dhe do të varen nga situata e Covid. Rakacolli u shpreh se në rast se situata do të përkeqësohet, do të kufizohet më shumë orari. Një alternativë mund të jetë mbyllja nga ora 20:00 deri në 06:00, kufizimi i lëvizjes në fundjavë, por një gjë e tillë nuk është diskutuar për momentin.