Në një konferencë për shtyp nga ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u njoftua se janë vënë në dispozicion rreth 100 mijë teste të shpejta, të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ato do të aplikohen fillimisht në qendrat shëndetësore të Tiranës. Ndërkohë, pas datës 20 dhjetor do të shpërndahen në gjithë vendin.
“Kemi siguruar në kontratën e parë, 100 mijë teste të shpejta, të cilat janë të njohura nga OBSH, të cilat tashmë janë të disponueshme në Shqipëri dhe gati për t’u vendosur në dispozicion të testimit diagnostikues dhe hetimit epidemiologjik. Testimi i shpejtë do të nisë nga dita e hënë, fillimisht në Tiranë dhe do të jenë epidemiologët që do ta kryejnë atë në kuadër të hetimit epidemiologjik, në vatrat e evidentuara që do të vlerësohen prej tyre si me rëndësi kyçe në transmetimin e infeksionit, bazuar në udhëzuesin e miratuar nga ISHP dhe nga Komiteti Teknik i Eksperteve”, tha Manastirliu.
Testet e shpejta do të nisin fillimisht në Tiranë, sepse këtu ndodhen dhe më shumë se gjysma e rasteve aktive të të infektuarve në vend.
“Testi është specifik dhe barazohet me PCR-në (tamponin). Nëse ai është pozitiv, është vërtetë pozitiv. Na jep përgjigje brenda 30 minutave dhe ky është një lehtësim i madh”, tha Silvia Bino, drejtuesja e departamentit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.
Artikuj të rekomanduar: