KORONAVIRUS

Nga e hëna nisin testet e shpejta: Cilët testohen të parët dhe cilët përjashtohen

Shkruar nga Anabel

4 Dhjetor 2020

Nga e hëna nisin testet e shpejta: Cilët testohen të parët

Ashtu siç u njoftua, nga 6 dhjetori në Tiranë do të nisin testet e shpejta për Covid-19.Në vend do të vihen në dispozicion rreth 100 mijë teste të shpejta, që fillimisht do të kryhen në Tiranë, duke qenë se këtu ndodhet më shumë se gjysma e rasteve aktivë me koronavirus.

Pyetja e radhës që lind natyrshëm, është kush do të jenë ata që do të testohen të parët dhe kush do të përjashtohet nga ky testim? 

I ftuar në Abc Neës, mjeku epidemiolog Rexhep Muja tregoi rrugën që do të ndiqet përsa i përket testeve të shpejta, duke thënë se testi do të aplikohet për personat që janë në periudhën e inkubacionit nga 1 deri në 6 ditë. Pjesa tjetër, do të vijojë me testin e PCR-së.

"Fillimisht marrim të dhënat e pacientit. Përgjigja vjen për 20-30 minuta. Shënohen të dhënat që të kemi saktësi. Futet tamponi në hundë. Më pas e lëmë të qetë. Kemi bërë trajnime për testet e shpejta. Fillimisht do të nisim me Tiranën pastaj në rrethe. Për 30 minuta i hedhim të gjitha të dhënat në panel."

Epidemiologu shtoi se fillimisht në Tiranë do të jenë 6 qendra ku do të kryhet ky proces. Pacientët do të shkojnë vetë dhe do të kthehen po vetë në shtëpi, me përjashtim të rasteve me shenja të rënda klinike, ku mjeku do të duhet të shkojë vetë në banesë.

Mjekët thonë se nga e hëna e më tej do të mund të bëhen rreth 3000 teste në ditë, përfshi këtu dhe PCR-në. Ato gjithashtu priten të përdoren dhe t'jua lehtësojnë procesin për testimin e personave në një kompani që kanë patur patur kontakt të ngushtë me një rast pozitiv.

"Ky test ka ndjeshmëri 100%. Ti kërkon sëmundjen. Përmes këtij testi realizohet më shpejt dhe kemi garanci të plotë. Pas rezultatit të këtij testi nuk ka nevojë për ritestim. E rëndësishme që nëse në një familje do kapësh një person pozitiv, duhet të listosh kontaktet. Tani i jep mundësi më shumë personave të testohen. Ata që dalin pozitivë duhet të karantinohen. Karantina duhet të nisë që me nisjen e shenjave edhe pa bërë testin. Ndryshe nuk i bëjmë dot ballë edhe ne. Ndihma e qytetarëve na duhet."