Ditën e sotme, (7 dhjetor) në vendin tonë nis aplikimi i testeve të shpejta, që pritet të lehtësojnë procesin diagnostikues dhe hetimin epidemiologjik. I ftuar në Wake Up mëngjesin e sotëm ishte mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, i cili listoi në gjuhë më të thjeshtë gjithë avantazhet që sjell ky test.
1.
Eshtë lehtësisht i përdorshëm
2.
Rezultati del brenda pak minutash dhe kështu një rast pozitiv izolohet në mënyrë direkte.
3.
Hetimi epidemiologjik bëhet më i thjeshtë, më i saktë dhe në kohë më të shkurtër.
4.
Nuk ka nevojë për ritestim.
5.
Testi i shpejtë mund të bëhet vetë nga kushdo pas blerjes në farmaci.
"Testet e shpejta mund të bëhen edhe nga qytetarët vetë, pasi t'i blejnë në farmaci. Aktualisht, 100,000 testet e shpejta në vend nuk kanë shpërndarje në farmaci dhe kësaj here nuk do të mund t'i aplikojnë njerëzit në mënyrë individuale, por në një moment të dytë kjo do të ndodhë. Testet e shpejta do të jenë lehtësisht të gjendshme njësoj si testet e shtatzënisë." -sqaroi Alimehmeti duke shtuar se e vetmja "frikë" e tyre është fakti që një rast i mundshëm pozitiv të mos raportojë ndonëse është i vetëdijshëm për infektimin.
Mjeku epidemilog tha gjithashtu se numri i testeve të shpejta duhet të jetë shumë herë më i lartë, pasi vetëm në këtë mënyrë rezultatet në javët në vijim do të jenë të dukshme në mënyrë të ndjeshme.
Përsa i përket shkollave, ai shtoi se nuk janë target grupi i objektivit të tyre, pasi risku nuk është i lartë, përveç rasteve sporadike.