KORONAVIRUS

90-vjeçarja, e para në botë që bën vaksinën e Pfizer

Shkruar nga Anabel

8 Dhjetor 2020

90-vjeçarja, e para në botë që bën vaksinën e

Një grua 90-vjeçare është bërë pacientja e parë në botë që ka bërë vaksinën e Pfizer për Covid-19 pas miratimit të saj në Mbretërinë e Bashkuar. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) nisi fushatën më të madhe të vaksinave këtë të martë (8 dhjetor).

Margaret Keenan mori dozën e parë rreth orës 6.45 të mëngjesit në Coventry, duke shënuar fillimin e një programi historik të vaksinimit masiv. 

“Ndihem kaq e privilegjuar që jam personi i parë i vaksinuar kundër Covid-19, është dhurata më e bukur e ditëlindjes që mund të uroja sepse do të thotë që më në fund mund të kaloj kohë me familjen dhe miqtë e mi për Vitin e Ri pasi kam qenë vetëm për pjesën më të madhe të vitit," u shpreh ajo.

Drejtori ekzekutiv i NHS në Angli, Simon Stevens, tha se ishte një moment historik dhe "hapi i parë në programin më të madh të vaksinimit që vendi ka parë ndonjëherë".

Margaret është një nga 400,000 njerëzit që do të marrin grupin e parë të 800,000 dozave të vaksinës. Ata do të marrin një dozë tjetër përforcuese në 21 ditë.

Vaksina Pfizer duhet të ruhet në -70 gradë Celcius përpara se të shkrihet dhe të përdoret. Mbretëria e Bashkuar u bë kombi i parë perëndimor që miratoi një vaksinë kundër Covid-19. Vaksina e kompanisë amerikane farmaceutike Pfizer dhe kompanisë gjermane BioNTech u aprovua për përdorim urgjent nga Autoriteti Rregullator i Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA).

Artikuj të rekomanduar:

Burimet: Guardian, CNN