Transformim total

Si këta shqiptarë hoqën dorë nga bulmeti dhe u ndryshoi jeta

Shkruar nga Anabel

11 Dhjetor 2020

Si këta shqiptarë hoqën dorë nga bulmeti dhe u ndryshoi jeta

Shumë njerëz kanë hequr dorë nga bulmeti dhe sado e vështirë dhe e pamundur mund të duket për disa, për të tjerët ka qenë diçka e nevojshme për kushte të caktuara fizike – si aknet për shembull. Në një komunikim në Instagramin e @anabel_media pyetëm ndjekësit nëse kanë hequr dorë nga bulmeti, disa prej përgjigjeve të të cilëve po i sjellim në vijim.

Si këta shqiptarë hoqën dorë nga bulmeti dhe u ndryshoi jeta

1.

“Kam rezultuar alergjike që 5 vjeç ndaj qumështit, por edhe produkteve të tjera të bulmetit. Djathin mund ta ha vetëm kur më shkon mendja për picë, por qumështin natyral kam vite që nuk e pi dhe s’kam patur më akne, sidomos te zona e mjekrës ku janë hormonale dhe nuk kam patur shqetësime stomaku. Qumështi i sojes dhe i bajames janë zëvendësues të mirë dhe kanë shije.”

2.

“Kam patur probleme me shëndetin në lidhje me bulmetin. Doktori i alergjisë më tha që duhet ta heq nga dieta ime bulmetin. E kisha të vështirë, por më tha që të zëvendësoja qumështin me atë pa laktozë, ose të konsumoja qumështin e dhisë. Unë kam 6 vjet që çdo mëngjes pi qumësht dhie dhe është qumështi më i lehtë.”

3.

“M’u desh të kërkoja shumë që të gjeja shkaktarin e akneve në zonën e mjekrës, që janë hormonale. Aknet u zhdukën pasi rrallova bulmetin nga dieta dhe kategorikisht qumështin. Sot përdor alternativa të tjera, si qumështi i bajames, lajthive, tërshërës etj. Janë të shëndetshme për tretjen.”

4.

“Mami im prej mëse një viti nuk konsumon fare produktet e bulmetit dhe gjithshtu produktet me përmbajtje sheqer industrial. Iu nevojit ky lloj ndryshimi sepse kishte probleme me zorrët. Tani është më mirë.”

5.

“Prej 8 vitesh kam eleminuar 90% të bulmetit dhe ndihem shumë mirë.”

Çfarë thonë ekspertët?

Bulmeti – qumështi dhe nënproduktet e tij – janë të diskutueshëm në ditët e sotme. Bulmeti vlerësohet nga organizatat shëndetësore si thelbësor për kockat, disa njerëz argumentojnë se është i dëmshëm dhe duhet të shmanget. Sigurisht, jo të gjitha produktet janë njësoj. Ato ndryshojnë shumë në varësi të mënyrës së rritje së kafshëve që prodhojnë qumëshin. Ky artikull, me referenca nga Healthline, Medical News dhe WebMD, prezanton një vështrim të thelluar të qumështit dhe nënprodukteve të tij dhe përcakton nëse është i mirë apo i keq për shëndetin tuaj.

A është e natyrshme të konsumohet?

Një argument i zakonshëm kundër produkteve të qumështit është se është e panatyrshme t'i konsumosh ato. Njerëzit janë të vetmet specie që konsumojnë qumësht në moshë të rritur dhe gjithashtu të vetmit që pijnë qumështin e kafshëve të tjera. Nga një perspektivë evolucionare, qumështi nuk është i nevojshëm për shëndetin bazik. Por kultura të caktuara kanë konsumuar bulmet rregullisht për mijëra vjet dhe fakti që disa njerëz janë përshtatur gjenetikisht për të konsumuar bulmet është një argument bindës se është e natyrshme që të konsumohet.

Si këta shqiptarë hoqën dorë nga bulmeti dhe u ndryshoi jeta

Pjesa më e madhe e njerëzve është intolerant ndaj laktozës

Karbohidratet kryesore në bulmet janë laktoza, një sheqer i përbërë nga dy sheqerna të thjeshta, glukoza dhe galaktoza. Te foshnjat, trupi prodhon një enzimë të quajtur laktazë që ndihmon tretjen e ushqimit, e cila shpërbën laktozën nga qumështi i nënës. Sidoqoftë, shumë njerëz humbin aftësinë për të shpërbërë laktozën në moshën e rritur. Në fakt, rreth 75% e popullsisë së rritur në botë nuk është në gjendje të shpërbëjë laktozën - një fenomen i quajtur intolerancë ndaj laktozës.

Njerëzit që janë intolerantë ndaj laktozës kanë simptoma të problemeve të tretjes kur konsumojnë produkte qumështi. Kjo përfshin të përziera, të vjella, diarre dhe simptoma të ngjashme. Gjithashtu mund të jeni alergjik ndaj përbërësve të tjerë në qumësht, siç janë proteinat. Kjo është mjaft e zakonshme tek fëmijët dhe më e rrallë tek të rriturit.

Përmbajtja e lëndëve ushqyese

Një filxhan i vetëm (237 ml) qumësht përmban:

Kalcium: 276 mg - 28% e RDI (RDI – doza e nevojshme ditore)
Vitaminë D: 24% e RDI
Riboflavin (vitaminë B2): 26% e RDI
Vitaminë B12: 18% e RDI
Kalium: 10% e RDI
Fosfor: 22% e RDI

Qumështi përmban vitaminë A, vitaminat B1 dhe B6, zink dhe magnez, së bashku me 146 kalori, 8 gramë yndyrë, 8 gramë proteina dhe 13 gramë karbohidrate.

Përbërja e lëndëve ushqyese - veçanërisht përbërësit yndyrorë - gjithashtu varet nga dieta dhe trajtimi i kafshëve. Yndyra e qumështit është shumë komplekse, e përbërë nga qindra acide të ndryshme yndyrore. Shumë prej tyre janë bioaktivë dhe mund të ndikojnë fuqimisht në shëndetin tuaj.

Mbani mend se këto yndyrna të shëndetshme dhe vitamina të tretshme në yndyra nuk janë të pranishme te produktet e bulmetit me pak yndyrë ose të skremuar, të cilat shpesh janë të mbushura me sheqer për të kompensuar mungesën e aromës së shkaktuar nga heqja e yndyrës.

Si këta shqiptarë hoqën dorë nga bulmeti dhe u ndryshoi jeta

Rëndësia për kockat

Kalciumi është minerali kryesor për kockat - dhe bulmeti është burimi më i mirë i kalciumit në dietat ushqimore. Në fakt, shumica e organizatave shëndetësore rekomandojnë që të konsumoni 2-3 porcione me bulmet në ditë në mënyrë që të merrni kalcium të mjaftueshëm për kockat.

Shëndeti i lëkurës dhe kanceri

Bulmeti dihet se stimulon çlirimin e insulinës dhe proteinës IGF-1. Kjo mund të jetë arsyeja që konsumi i bulmetit është i lidhur me shfaqjen dhe acarimin e akneve. Nivelet e larta të insulinës dhe IGF-1 shoqërohen gjithashtu me një rrezik në rritje për kancer. Kini parasysh se ka shumë lloje të ndryshme të kancerit dhe marrëdhënia midis bulmetit dhe kancerit është mjaft komplekse. Disa studime sugjerojnë se bulmeti mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit kolorektal, por të rrisë rrezikun e kancerit të prostatës.

Efektet e rritjes së insulinës dhe IGF-1 nuk janë të gjitha të këqija. Nëse jeni duke u përpjekur të fitoni muskuj dhe forcë, atëherë këto hormone ju ndihmojnë.

Bulmeti më i mirë për shëndetin

Produktet më të shëndetshme të bulmetit vijnë nga lopët që ushqehen me bar dhe/ose rriten në kullota. Qumështi i tyre ka një profil ushqyes shumë më të mirë, duke përfshirë acide yndyrore më të dobishme dhe vitamina të tretshme në yndyrë - veçanërisht K2.

Vlen gjithashtu të përmendet se njerëzit që nuk mund të tolerojnë qumështin e lopës mund të jenë në gjendje të tretin lehtë qumështin e dhisë.

Si këta shqiptarë hoqën dorë nga bulmeti dhe u ndryshoi jeta

Disa njerëz duhet të konsulohet me mjekun nëse duhet të konsumojnë bulmet në rast se:

- kanë probleme me aknet;
- kanë probleme me tretjen;
- kanë probleme me humbjen në peshë;
- kanë probleme me tiroiden;
- kanë probleme me kandidozën (infeksion) etj.

Përmbledhje

Bulmeti nuk kategorizohet si i shëndetshëm ose i pashëndetshëm, sepse efektet e tij mund të ndryshojnë nga njëri individ te tjetri. Nëse i toleroni produktet e qumështit dhe i shijoni, duhet të ndiheni rehat dhe të vazhdoni t’i konsumoni. Nuk ka asnjë provë bindëse që njerëzit duhet ta shmangin bulmetin, por kjo gjithmonë kur nuk keni probleme të tjera shtesë.

Konsultohuni gjithmonë me mjekun nëse duhet të konsumoni ose jo bulmet.