Në një video ilustruese të publikuar në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi procedurën e rimbursimit të barnave për pacientët e diagnostikuar me Covid-19.
Dr. Bujar Mema, nga Qendra Shëndetësore nr.9 në Tiranë, shpjegoi se procedura e rimbursimit të barnave bëhet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me mjekun e familjes.
“Receta gjenerohet online dhe me kodin përkatës, familjarët e pacientit i marrin barnat në farmaci, me rimbursim 100% nga shteti,” u shpreh Manastirliu.
Pasi një person rezulton pozitiv, Dr. Mema shpjegoi se veprohet kështu:
1. Gjendet pacienti në regjistrin e banorëve dhe cilësohet si “person me Covid”.
2. Përcaktohet stadi i sëmundjes dhe skema e mjekimit.
3. Jepet mjekimi përkatës (vitamina, qetësues për temperaturën, antibiotikë etj).
4. Vendoset kodi i recetës i cili do të përdoret më vonë për rimbursimin e barnave 100%.