Mendja

Si të dallojmë çrregullimet në të folur që të mos themi këto fjali të papërshtatshme

Shkruar nga Anabel

17 Dhjetor 2020

Si të dallojmë çrregullimet në të folur që

Mungesa e informacionit ose trajtimit të çrregullimeve të ndryshme mund të bëjë që shumë njerëz, ndoshta edhe pa e kuptuar, të thonë fjali të papërshtatshme kundrejt dikujt që ka probleme në një fushë të caktuar. Rasti i një prej konkurrentëve të “Për’Puthen”, Arjonit, vendosi në qendër të vëmendjes disleksinë.

Gjatë episodit të djeshëm, (16 dhjetor) opinionisti Arjan Konomi tha se Arjoni është disleksik dhe ka filluar të flasë në moshë madhore dhe diku rreth moshës 15-vjeçare ka filluar të formojë fjali në mënyrë më të qartë. Duke qenë se është rritur në Itali, komunikimi në gjuhën shqipe ka qenë i vonshëm, gjë që tregon edhe vështirësitë e tij për të komunikuar në shqip.

Për shkak të mungesës së informacionit mbi çrregullimin, nëpër rrjete sociale konkurrenti u përfol vazhdimisht për bisedimin jo fort të qartë. Nisur nga kjo, vendosëm të sjellim në vëmendje rëndësinë e njohurive mbi çrregullime të tilla, pasi kushdo, me ose pa vetëdije, mund të thotë gjëra të papërshtatshme, sidomos kur informacionet mbi një sëmundje janë të pakta.

Siç e kemi shpjeguar në një tjetër artikull, disleksia nuk është e lidhur me inteligjencën; është një çrregullim neurobiologjik që prek pjesët e trurit të përfshira në përpunimin e gjuhës. Disleksia shpesh njihet si aftësi e kufizuar në të lexuar. Më së shpeshti identifikohet në fëmijëri kur problemet e leximit bëhen të dukshme. Por disleksia mund të mos diagnostikohet për vite apo edhe dekada. Për shkak të pengesa në përpunimin e gjuhës, këta njerëz ndodh të shfaqin edhe vështirësi në komunikim, por kjo nuk është gjithmonë e pranishmë.

Qoftë disleksi ose jo, çrregullime të tilla mund të mos kuptohet nga njerëzit e tjerë. Për të qenë të kujdesshëm, kini parasysh që të tregoheni të vëmendshëm dhe të mos thoni fjalë të papërshtatshme kur dikush:

- përsërit tingujt dhe fjalët
- belbëzon
- shton tinguj dhe fjalë shtesë të panevojshme
- zgjat fjalët
- bën lëvizje të pavullnetshme kur bisedon
- duket i zhgënjyer kur komunikon
- bën pauza të shpeshta kur flet
- shtrembëron tingujt
- lëviz zakonisht kokën gjatë bisedës

Gjëra që NUK duhet t’i thoni kurrë dikujt me disleksi dhe/ose probleme në të folur:

1. Çfarë shkrove/the nuk ka kuptim.
2. Kjo fjalë është kaq e thjeshtë për t'u shqiptuar/shkruar!
3. Nuk e kuptoj fare se çfarë ke shkruar/thënë.
4. Je kaq i/e paaftë.
5. Të duhet të studiosh më shumë.
6. Duhet të jesh më i organizuar.
7. S’është kaq e vështirë të lexosh/flasësh.
8. Pse flet kështu?
9. A mund të flasësh më mirë?
10. Do kalojë.

Mungesa e një përkufizimi uniform të disleksisë e bën të vështirë problemin. Vlerësime të ndryshme sugjerojnë se deri në 5 deri në 10 përqind i popullsisë mund të ketë disleksi. Diagnostikohet zakonisht në fëmijëri, por disa njerëz nuk diagnostikohen kurrë.Për më shumë mbi simptomat e dislekisë te fëmijët dhe të rriturit, klikoni këtu.