Silvia Bino, drejtuesja e departamentit të epidemiologjisë në ISHP gjatë intervistës së fundit ka folur për strategjinë që po ndjek vendi ynë në lidhje me sigurimin e vaksinës kundër Covid-19.
Deri më tani, Bino tha se Komiteti i Ekspertëve po vlerëson skenare të ndryshëm për furnizimin me vaksina në vend, por deri më tani nuk ka akoma një vendim.
"Një skenar është për vaksinën e prodhuar nga PFIZER (BioNTech-Pfizer) që kërkon të ruhet në -80 gradë Celcius dhe për këtë lypset një investim për një infrastrukturë të re; skenari tjetër është për vaksinën anti Corona të prodhuar nga kompania Moderna që kërkon më tepër investime; skenari i tretë është për vaksinën e prodhuar nga kompania AstraAzeka për të cilën Shqipëria i ka kapacitetet dhe duhen vetëm të ketë pak shtesa. Gjithsesi nuk përjashtohet edhe marrja e vaksinave nga kompania Johnson &Johnson apo kompani të tjera."- u shpreh Bino.
Përsa i përket fillimit të vaksinimit, shefja e ISHP-së tha se pritet të nisë në 3 mujorin e parë të 2021-it, ndërkohë që ekspertët kanë identifikuar grupet që kanë prioritet marrjen e kësaj vaksine më shumë se të tjerët.
"Komiteti i Ekspertëve të vaksinimit ka identifikuar si grupe prioritare punonjësit e shëndetësisë, rezidentët dhe punonjësit e institucioneve të kujdesit afatgjatë dhe më pas personat mbi 75 vjeç, ata mbi 65 vjeç, personat më të rinj se 65 vjeç me sëmundje bashkë shoqëruese si dhe personelin e shërbimeve kritike."
Lajmi i mirë sipas saj është që gjatë 4 javëve të fundit, është vënë re një qëndrueshmëri e situatës Covid-19 në vend, por është me rëndësi që masat të zbatohen me përpikmëri edhe gjatë ditëve të festave të fundvitit.
Burimi: Abc News