KORONAVIRUS

Ministria e Shëndetësisë: Shkurtohet orari i lëvizjes & anulohen fluturimet me Britaninë e Madhe

Shkruar nga Anabel

21 Dhjetor 2020

Ministria e Shëndetësisë: Shkurtohet orari i lëvizjes &

Për shkak të situatës epidemiologjike, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim për mediat, bëri me dije se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë këto vendime:

1. Kufizimi i lëvizjes nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Këta njerëz duhet të pajisen me autorizim në e-albania. Prej datës 5 janar, kufizimi i lëvizjes kthehet në orën 22:00.

2. Kufizimi i aktivitetit të bareve, restoranteve, fast food-eve, lokale që ofrojnë shërbime për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00 duke filluar nga data 24 dhjetor deri në 4 janar, duke përjashtuar shërbimet delivery. Prej datës 5 janar, kufizimi i aktivitetit rikthehet në orën 22:00.

Referuar variantit të ri të Covid në Britaninë e Madhe, Manastirliu u shpreh se do të anulohen fluturimet.

“Nga të dhënat e deritanishme të Qendrës Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve mbi variantin e ri të identifikuar në Britaninë e Madhe e cila është përballur me rritje të rasteve të infeksionet, jemi informuar se po kryhen hetime. Qendra Europiane vlerëson paraprakisht se ky mutacion i ri është më i transmetueshëm se variantet e mëparshme. Rritja e transmetueshmërisë rrit gjasat për përhapjen më të shpejtë, sidomos në këtë kohë të vitit kur ka intensitet të shtuar të kontakteve. Nisur nga rekomandimet e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, për të kufizuar rriskun e infeksioneve nga varianti i ri, kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe duke filluar nga ora 6 e ditës së martë, datë 22 dhjetor, deri më 6 janar. Vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14-ditore për qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe.”