KORONAVIRUS

Miratohet vaksina e Oksford/AstraZeneca: Lajm i mirë për vendet e varfra dhe në zhvillim

Shkruar nga Anabel

30 Dhjetor 2020

Miratohet vaksina e Oksford/AstraZeneca: Lajm i mirë për vendet e

Rregullatorët në Mbretërinë e Bashkuar i kanë dhënë aprovimin për përdorim emergjent vaksinës së zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca.

Në një deklaratë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) ka autorizuar vaksinën Covid-19 të Universitetit të Oxfordit/AstraZeneca pas "provave rigoroze klinike dhe një analize të plotë të të dhënave nga ekspertët në MHRA".

Mbretëria e Bashkuar është vendi i parë që miraton vaksinën Oksford/AstraZeneca dhe e para që miratoi Pfizer/BioNTech.

Në fund të nëntorit, u paraqit kërkesa për prova të reja të efektivitetit të vaksinës pasi AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit pranoi një gabim në prodhimin e vaksinës së tyre, gjë që ngriti pikëpyetje në lidhje me rezultatet paraprake.

Grupi i vullnetarëve që mori një dozë më të ulët u duk se ishte shumë më mirë i mbrojtur sesa vullnetarët që morën dy doza të plota. Në grupin e dozave të ulëta, tha AstraZeneca, vaksina duket të jetë 90% efektive. Në grupin që mori dy doza të plota, vaksina ishte 62% efektive. Të kombinuara, prodhuesit e ilaçeve thanë se vaksina duket të jetë 70% efektive.

Oxford/AstraZeneca u bashkuan me Covax, programin e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet dhe ka bërë marrëveshje me prodhuesit në vendet e tjera, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Vaksina e Oksfordit shihet si më e përshtatshmja për vendet në zhvillim, për shkak të çmimit të ulët dhe faktit që mund të ruhet në frigorifer, ndryshe nga Pfizer dhe Moderna.

Në një komunikim me mediat ditën e djeshme, kryeministri Rama u shpreh se “jemi në diskutime edhe me AstraZeneca, edhe me Moderna dhe besoj që shumë shpejt do të finalizojmë marrëveshjen me Pfizer, që lidhet me kapacitetet që janë në shtete të ndryshme”.