Celebrity Style

Armë, dhunë dhe të lënduar: Mbështetësit e Trump shkaktojnë kaos në Washington

Shkruar nga Anabel

6 Janar 2021

Armë, dhunë dhe të lënduar: Mbështetësit e Trump

Në prag të konfirmimit zyrtar për presidentin e ri Joe Biden, mbështetësit e Trump-it nuk janë kursyer duke krijuar situatë kaotike në Washington.

Protestuesit, hynë në ambientet e Kongresit amerikan duke pezulluar seancën që pritej të mbahej për konfirmimin e mandatit të Joe Biden si president i ardhshëm i SHBA-së.

Gjithçka ndodhi mesditën e së mërkurës, pak orë pasi Trump i kishte kërkuar zëvendës-presidentit Mike Pence që të kërkonte në Kongres ndalimin e mandatimit të Joe Biden mbi bazën e pretendimeve për manipulim të zgjedhjeve.

Armë, dhunë dhe të lënduar: Mbështetësit e Trump

Disa prej protestuesëve kanë qenë të armatosur, duke u përballur fizikisht me forcat policore.

Gjendja është përshkallëzuar dhe nga të dhënat e para, një grua është e plagosur rëndë me armë zjarri. Nga ana tjetër, forcat e sigurisë i vunë ligjvënësit në mjedise të sigurta për të shmangur situata të dhunshme brenda.

Pas situatës kaotike në Kapitolin e SHBA-së, Trump është detyruar t'i kërkojë mbështetësve të tij të ruajnë qetësinë dhe të mos protestojnë me dhunë.

“ I bëj thirrje gjithkujt në Kongres të qëndrojnë paqësisht. Jo dhunë! Kujtoni, ne jemi partia e ligjit dhe rendit, respektoni ligjin dhe burrat dhe gratë tona të shkëlqyeshme në uniformat blu, ju faleminderit,” – shkroi Trump në Twitter.

Burimi: CNN & The Guardian