Femije

Njerëzit kritikojnë prindërimin e Aulona Mustës dhe argumentet janë qesharake

Shkruar nga Anabel

7 Janar 2021

Njerëzit kritikojnë prindërimin e Aulona Mustës dhe

Në një video të postuar nga Aulona Musta në profilin e saj në Instagram – ku e bija, Amara, 6 vjeç, kritikon të ëmën për lulet duke thënë se si pjesë e natyrës, ato nuk duhet të këputen sepse është është si të vrasësh njerëzit tanë – disa njerëz shpërthyen me kritika për faktin që Amara flet anglisht dhe jo shqip.

Disa e quajnë këtë zgjedhje të Aulonës për të bijën si “injorancë”, ndërsa disa të tjerë shkruajnë se “ajo nuk duhet të flasë anglisht, sepse ka harruar/do të harrojë shqipen”. Argumentet janë pa baza shkencore, sepse studimet, të cilat i kemi përmbledhur në vijim, jo vetëm që nuk e shohin si të dëmshme një gjuhë të huaj në moshë fare të vogël, përkundrazi e inkurajojnë atë.

Studimet nga Universiteti i Harvardit konfirmojnë se krijimtaria, aftësitë e të menduarit kritik dhe fleksibiliteti i trurit rriten ndjeshëm nëse fëmijët mësojnë një gjuhë të dytë në moshë të vogël. Vitet e periudhës parashkollore, veçanërisht tre vitet e para të jetës, besohet të jenë një periudhë jetike në jetën e fëmijës. Kjo është koha kur vendosen bazat për qëndrimet, të menduarit dhe të mësuarit, ndër të tjera. Kjo do të thotë që fëmijët kanë një aftësi natyrore për të mësuar, e cila zhvillohet gjatë 3-4 viteve të para të jetës.

Universiteti i Harvardit thekson se inkurajohet shumë që të mësosh një gjuhë të dytë sepse është po aq e lehtë sa të mësosh të parën. Mund të tingëllojë si një barrë e madhe, por, në fakt, nuk është kështu. Truri i njeriut është i jashtëzakonshëm. Që prej lindjes, ne mësojmë përmes:

- shikimit
- shijimit
- nuhatjes
- dëgjimit
- prekjes
- të bërit

Hulumtimet kanë treguar që 50% e aftësisë sonë për të mësuar zhvillohet nga mosha 4-vjeçare dhe 30% tjetër nga mosha 8 vjeç. Kjo është arsyeja pse fëmijët 3 vjeç inkurajohen të mësojnë një gjuhë të dytë. Sado që mund të tingëllojë e pabesueshme, të mësuarit me të vërtetë arrihet që në moshë të hershme, edhe pse fëmijët as nuk e kuptojnë se po mësojnë jo një, por dy, madje edhe tre gjuhë të huaja. Kjo mund të arrihet përmes këngëve, filmave, valleve në gjuhë të huaj etj.

A është e mundur që gjuha e dytë (e huaj) të zëvendësojë të parën (gjuhën amtare)? Po. Kjo gjë ndodh kur gjuha e parë nuk është zhvilluar mirë dhe fëmija mëson një gjuhë të dytë, ose prindërit i shtyjnë fëmijët të kalojnë më shumë kohë duke mësuar gjuhën e dytë. Megjithatë një fëmijë i cili flet një gjuhë të huaj, pavarësisht se prindi i drejtohet në gjuhën amtare – si rasti i Aulonës me të bijën – nuk do të thotë se fëmija ka harruar gjuhën e parë ose nuk e ka përvetësuar mirë.

Duhet theksuar se fëmijët dygjuhësh (bilingual) kanë preferencat gjuhësore që ndryshojnë në varësi të personit që bisedojnë. Kjo i bën ata të aftë të përdorin një nga gjuhët duke u nisur nga partneri që komunikojnë. Për shembull, vajza e Aulonës mund të flasë anglisht me të ëmën dhe/ose në shkollë dhe shqip me të atin dhe/ose gjyshërit. Pas moshës 4-vjeçare, fëmijët dygjuhësh janë më të vetëdijshëm se cilën gjuhë të përdorin ku.

Studiues të ndryshëm thonë se mosha më e mirë që një fëmijë të mësojë gjuhë të huaj është në fillim të adoleshencës. Disa të tjerë theksojnë moshën 6-7 vjeç. Të tjerë, të cilët janë më të shumtë në numër, bien dakord që hapat e parë për një gjuhë të huaj duhet të nisin para moshës 5 vjeçare. Nuk ka një mendim të gjithëpranuar, por gjuhëtarët pajtohen: sa më shpejt, aq më mirë.

Për realizimin e artikullit u përdorën referenca nga: Parent, Brainscape Academy, PandaTree dhe British Council.