Robert Ndrenika, i lindur në 10 janar të 1942-it, feston sot 79-vjetorin e lindjes. I emëruar "Artist i Popullit", aktori i madh, për dekada me radhë ka dhënë kontributin e tij të çmuar në historinë e kinematografisë shqiptare. Filmat, komeditë dhe personazhet e tij, i kanë rezistuar kohës dhe ende sot janë njësoj të dashura për brezat e rinj.
Në listën më poshtë, do të gjeni një pjesë të mirë të filmave/komedive ku luan Robert Ndrenika, perfekt për t'u parë në një ditë si kjo!
1. Shi në plazh
Çfarë ke bërë nëse nuk ke parë të paktën një herë në jetë komedinë “Shi në plazh”. Kur gjatë pushimeve 15-ditore, moti nis kapriçot dhe shiu s’pushon, do njihesh me familjarët e kabinës ngjitur. Ne jemi në janar dhe plazhi është ende larg, por kjo komedi do t'ju fusë në gjendje tjetër.
2. Edhe kështu edhe ashtu
Nëse s’ju kujtohet Alma, që ra në dashuri me këngëtarin në ngjitje, ndërkohë që babai do ta martojë me një diplomat, dëgjoni këtë këngë.
3. Përrallë nga e kaluara
Për të plotësuar dëshirat dhe nevojat e prindërve, Gjino 14-vjeçar martohet me mblesëri me Marigonë 20-vjeçare. Gjino bindet, se është fëmijë, ndërsa Marigoja që dashuron një tjetër, përpiqet në mënyra të ndryshme për t’u larguar. Filmi eksploron rolin e gruas në shoqëri, shfrytëzimin dhe emancipimin e saj.
4. Prefekti
Artisti i Popullit Robert Ndrenika interpreton Qazim Mulletin. Një punë e Besim Levonjës, komedia “Prefekti” përqesh dhe ironizon prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi.
5. Në shtëpinë tonë
Miri ka kuptuar se e motra e tij Ana, është e dashuruar me një të ri i cili është teknik pajisjesh elektrike në atë zonë. Duke pasur një keqkuptim me mësuesen e tij, ikën nga shkolla në drejtim të pa caktuar. E motra vë në dijeni të ëmën për vonesën e të vëllait, e cila kërkon ndihmën e organeve të policisë.
6. Një shoqe nga fshati
Vazhdimi i kinokomedisë aq të famshme, "Zonja nga Fshati". Ollga përgatitet të shkojë në konferencën e gruas aktiviste ku do të flasë për eksperiencën e saj në lidhje me luftën kundër koncepteve konservative. Agushi (Robert Ndrenika) postieri i ri, nuk e lejon vajzen e tij Lulen që të martohet me Tirken, djalin që dashuron sepse ka deshire që ta martojë në qytet.
7. Dhe vjen një ditë
Një dramë familjare që përfshin burokracitë e kohës për një karrige dhe lidhjet shoqërore mes Llanos (një drejtor dikasteri) dhe Gorit, shokut të tij të fëmijërisë.
8. Njerëz dhe Fate
Robert Ndrenika, në rolin e Durimit, babait të Florit ishte një nga personazhet kyç të dramës aq të dashur për shqiptarët. Shqetësimet e një babai kundrejt djalit rebel, i cili gabimisht zgjodhi një rrugë pa krye, fundi i të cilës do të ishte tragjik.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.