Dozat e para të procesit të vaksinimit, 957 saktësisht, u dhuruan për Shqipërinë nga një shtet europian, emri i të cilit u mbajt sekret. Po kështu, edhe procesi i ardhjes së vaksinave, përfshirë kushtet dhe mënyrën e transportit, nuk u publikua për publikun, ndryshe nga shumë vende si Greqia, Italia apo Spanja, të cilat transmetuan pamjet filmike të mbërritjes së vaksinave në shtetet përkatëse. Në një intervistë në “Open”, kryeministri Rama u shpreh se procesi i marrjes së vaksinave ishte njësoj si në të gjitha vendet, ndonëse nuk u transmetua publikisht.
“Vaksinat kanë ardhur në Shqipëri siç kanë vajtur kudo, pra me mjetin e transportit, me të gjitha kushtet e transportit. [Mjetin e transportit] nuk mund t’jua them. [Vaksinat kanë ardhur] me të gjitha kushtet. Kanë qenë të shoqëruara deri në Shqipëri nga një njësi speciale sigurie dha janë marrë në dorë nga autoritetet tona dhe një njësi speciale sigurie.” – tha ai.
Në vijim të komunikimit, kryeministri u shpreh se emri i vendit dhurues nuk mund të bëhet publik për arsye konfidencialiteti.
“Vaksina ka ardhur nga një vend i Bashkimit Europian, emrin e të cilit e kam shpjeguar dhe e kam thënë në transparencë të plotë që nuk mund ta them, sepse na është kërkuar konfidencialitet i plotë nga ana e atij vendi për arsye të vetat, që ndër të tjera, me siguri, kanë të bëjnë me faktin se vendet e Bashkimit Europian, ashtu si ai vend, janë të rrethuar nga shtete, që nga shtetet e rajonit dhe jo vetëm, të cilat kërkojnë. E natyrisht kjo ka qenë një dhuratë për Shqipërinë, të cilën unë e kam kërkuar si lypësi më i dalluar nga ata që kanë kërkuar për vendet e tyre. Në këto kushte, konfidencialiteti në këtë fazë është absolutisht i pathyeshëm. Në një moment të dytë edhe mund të thuhet dhe unë patjetër do të bëj dhe falenderimet publike.”
Në vijim ai shtoi:
“Zhvillohen negociata dhe bisedime në të gjitha anët mes palëve, sepse disa vende janë më të mbuluar dhe një pjesë tjetër janë të zbuluar. Faktikisht, rajoni ynë është lënë zbuluar sepse nuk është përfshirë në skemën e shpërndarjes së Bashkimit Europian, ndërkohë që ne kemi parapaguar si të tjerët platformën e COVAX. [COVAX, një nismë globale që bashkon qeveritë dhe prodhuesit për të siguruar që vaksinat e Covid-19 të arrijnë tek ata që kanë më shumë nevojë]. Shpresojmë që ajo të zhbllokohet në një moment të caktuar. Por janë një sërë vendesh në rajonin tonë që nuk e kanë filluar vaksinimin sepse po presin COVAX, ndërkohë që ne kemi bërë punën paralele.”
Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se kontrata me kompaninë Pfizer do të kalojë paraprakisht në Parlament. Nga kontrata me COVAX, pritet që Shqipëria të përfitojë 1,140,000 vaksina.
"Kemi garantuar 500 mijë doza [nga Pfizer]. 10,780 do vijnë në janar. 30,000 të tjera në shkurt. Kemi parashikuar me tre skenare ta mbyllim për 14 muaj. Spanja tha se do e mbyllë në vitin 2024. Duam të jemi ambiciozë dhe ta mbyllim në 14 muaj." – shtoi Rama për kohëzgjatjen e procesit të vaksinimit.