
Procesi i imunizimit është një proces i rëndësishëm në një pandemi si kjo e Covid, pasi vaksina siguron jo vetëm mbrojtje të individit, por njëkohësisht siguron edhe imunitetin e popullatës. E thënë me fjalë të tjera, sa më shumë njerëz të vaksinohen, aq më shumë ulen ritmet e transmetimit të Covid. Nisur nga kjo, sa shqiptarë kanë nevojë të bëjnë vaksinën?
Në një intervistë për “Open”, kryeministri Rama u shpreh se komuniteti që ka nevojë për vaksinim përbëhet nga 2.2 milionë shqiptarë.
“Është një komunitet prej 2.2 milionë a diçka më shumë që do të duhet të vaksinohet, sepse ata nën 16 vjeç nuk hyjnë në projektin e vaksinimit në asnjë vend, sot për sot. Ka një vend në Azi që e ka filluar në mosha të vogla për arsyet e veta, nuk e di.”
Ai theksoi se “është një shifër e përafërt. Nuk është një shifër e saktë.” Rama u shpreh se procesi i vaksinimit është parashikuar me tre skenarë:
“Kemi bërë një plan kombëtar të vaksinimit dhe të jemi 100% të mbuluar në një proces të cilin e kemi parashikuar me tre skenarë. Në skenarin më parë, më agresivin, duam që procesin e vaksinimit ta mbyllim për 14 muaj, në skenarin e dytë është 18 dhe në të tretin është 24 muaj [...] Spanja tha se do e mbyllë në vitin 2024. Duam të jemi ambiciozë dhe ta mbyllim në 14 muaj.”