Pushteti

Fjalimi i lamtumirës si Zonjë e Parë: Melania thyen traditën shekullore të Shtëpisë së Bardhë

Shkruar nga Anabel

19 Janar 2021

Fjalimi i lamtumirës si Zonjë e Parë: Melania thyen traditën

Pas 4 vitesh, Melania Trump ka dhënë fjalimin e lamtumirës si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara. Përmes një video mesazhi të regjistruar, Melania promovoi dashurinë ndaj urrejtjes dhe mes rreshtash nuk la pa përmendur as rezultatin e "vjedhur" të zgjedhjeve të 2020-ës. Ndër të tjera, Melania Trump refuzoi gjithashtu të marrë pjesë në inagurimin e presidentit të ri të zgjedhur, Joe Biden, duke thyer një traditë presidenciale. 

"Bëjeni me pasion çdo gjë që bëni. Vetëm mos harroni se dhuna nuk është kurrë përgjigja dhe s'do të jetë asnjëherë e justifikuar."

Gjatë rrugëtimit të Trump si president, pjesëmarrja e Melania-s ka qenë pasive, por gjesti i saj i fundit si Zonjë e Parë ka ngjallur kritika pafund ndaj saj. Injorimi që i bëri bashkëshortes së Joe Biden, Jill Biden është komentuar në Twitter si gjest aspak fisnik.

Për herë të parë në 100 vite, një Zonjë e Parë nuk fton gruan e presidentit të ardhshëm për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, ashtu sikurse Michelle Obama e mirëpriti 4 vite më parë.

"Melania Trump ka thyer një traditë duke mos ftuar Zonjën e Parë të ardhshme në Shtëpinë e Bardhë."- shkruan dikush, ndërsa të tjerë e kanë quajtur çiftin Trump si njerëz të këqinj që nuk krahasohen me çiftin Biden.

Mirëpritja e çiftit të ri presidencial nga të vjetrit është një traditë shumëvjeçare që shpesh s'ka qenë e lehtë për t'u ndjekur. Michelle Obama, përmes një postimi të pak kohëve më parë në Instagram tregon se familja e saj s'e kishte të thjeshtë të priste çiftin Trump (për shkak të ofendimeve raciste dhe gënjeshtrave të këtyre të fundit), por i duhet të gjente forcën dhe pjekurinë për t'u përballur me një situatë të tillë.

Ndërkohë, 4 vite më vonë, Melania jo vetëm që nuk e ftoi në Shtëpinë e Bardhë bashkëshorten e Biden, por e mbylli fjalimin 6-minutësh duke thënë se ka qenë "nderi më i madh i jetës" t'i shërbejë SHBA-ës.

Burimi: Glamour