Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u infektua me Covid-19, dy javë pasi bëri vaksinën anti-Covid. Ky, ishte rasti i parë në vend që dikush infektohej edhe pas dozës së parë të vaksinës, gjë e cila ngriti pikëpyetje tek qytetarët në lidhje me efektivitetin e vaksinës.
Në lidhje me rastin në fjalë, Silva Bino tha se fakti që ke bërë vaksinën nuk të bën automatikisht të mbrojtur.
"Fakti që bën vaksinën nuk do të thotë se patjetër je i mbrojtur menjëherë. Nuk krijohen antitrupat menjëherë. Fakti që Pfizer e ka dozën e dytë pas tre javësh do të thotë se arrijmë një reagim të mirë pas 3 javësh. Ne i mbështetemi të dhënave që ka Pfizer. Deri tani nuk mund të themi se ke mbrojtjen të plotë. Deri në dy javë pas dozës së dytë mbrojtja shkon në 95 %."- u shpreh Bino gjatë një intervistë për Abc News.
Ndër të tjera ajo theksoi se duhet të kalojnë deri në 6-javë nga doza e parë pasi vetëm atëherë mund të flasim për mbrojtje.
"Duhet të kalojnë pra 6 javë nga doza e parë që të arrish një mbrojtje. Kjo vlen për të gjitha llojet e vaksinave. Vaksina ndaj koronavirusit ne themi se nuk ndalon transmetimin por sëmundjen. Si vaksina e gripit. Ti mund ta marrësh virusin dhe ta transmetosh atë. Ti vetë mund të kalosh një formë fare të lehtë të sëmundjes. Mund ta transmetosh tek të tjerët, por vetë nuk ke formë të rëndë."
Nga ana tjetër, vetë Pipero ka reaguar duke thënë se nuk është "as rasti i parë dhe as i fundit", duke argumentuar me të njëjtën teori. Ai u kërkoi edhe personave që deri tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës, të bëjnë të njëjtin kujdes si gjithë të tjerët të pavaksinuar.