I ftuar mbrëmjen e djeshme në Real Story në Neës 24, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj foli gjatë për situatën e përkeqësuar në vend të Covid-19.
"Gjendja është përkeqësuar. Festat e fundvitit, ulja e temperaturave, spostimet nga një vend në tjetrin gjatë asaj periudhe, të gjitha kanë ndikuar. Gjithsesi, nuk janë më ato rrugët e tmerrshme të transmetimit që mendohej në fillim, që boll të shiheshe dhe duhet të hiqje rrobat nga frika se mos ishe infektuar. Eshtë kontakti direkt."- u shpreh Brataj.
Nisur nga situata epidemiologjike e vendit tonë dhe vendeve fqinje, ngrihen pikëpyetje nëse në Shqipëri janë konfirmuar raste të varianteve të reja, përgjithësisht më të transmetueshëm në popullatë.
"S'është e thënë të mos ketë hyrë. E kemi thënë dhe herë tjetër, mesa di unë Shqipëria ka kapacitetet për të dalluar një rast që nuk përkon më me shtamin e zakonshëm të virusit, por për duhet vërtetuar përmes marrëveshjeve që ka me autoritetet europiane, me Berlinin dhe me Londrën. Mundësia që varianti i ri të ketë hyrë në vend është e lartë, duke parë që në një kohë kaq të shkurtër ka një boom infektimesh. Gjithsesi duhet të presim deri kur të vinë përgjigjet për të folur me siguri që besojmë se do të publikohen."
Pak ditë më parë, Kosova konfirmoi 3 rastet e para të infektimeve me variantin e koronavirusit të Mbretërisë së Bashkuar, Maqedonia e Veriut gjithashtu, ndërkohë që Greqia ka konfirmuar praninë e variantit të Afrikës së Jugut.
Britania ishte një nga vendet e para që identifikoi një variant të Covid që transmetohet më shpejtë. Një nga ndryshimet që e bëri këtë variant të dallueshëm ishte një mutacion i njohur si N501Y, i cili prek domenin lidhës të receptorëve (RBD) të proteinës “spike” - pika ku virusi lidhet me një qelizë. "Ky mutacion, të paktën në një mjedis laboratorik, lejon që proteina të lidhet më fort me proteina në sipërfaqet e qelizave që janë shënjestra", tha Dr. Eleanor Gaunt nga Universiteti i Edinburgh-ut.