KORONAVIRUS

Studimi në Wuhan: Origjina e virusit është ende mister, por OBSH hedh poshtë teorinë e laboratorit

Shkruar nga Anabel

10 Shkurt 2021

Studimi në Wuhan: Origjina e virusit është ende mister, por OBSH

Përditësim, e premte, 12 shkurt: OBSH ndryshon deklaratën për krijimin e virusit në laborator: ‘Të gjitha hipotezat janë të hapura’

Ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që vizitoi Wuhan-in për të hetuar origjinën e pandemisë së koronavirusit, ka hedhur poshtë teorinë që virusi u krijua në një laborator. Në një konferencë të gjatë për shtyp, përfaqësuesit e misionit të përbashkët hetues mes OBSH dhe Kinës dhanë një përmbledhje të gjetjeve nga dy javë në terren.

Ata u shprehën se puna e ekipit nuk e ndryshoi në mënyrë dramatike fotografinë që kishin para se të fillonin, por kishin shtuar detaje të rëndësishme. Ekipi nuk gjeti prova të qarkullimit të virusit në Wuhan para dhjetorit 2019 dhe tha se ishte ende e paqartë se si hyri në tregun e prodhimeve të detit Huanan, ku virusi u zbulua fillimisht. Por, shtuan ata, "e gjithë puna që është bërë në lidhje me virusin dhe përpjekja për të identifikuar origjinën e tij, vazhdon të tregojë se mund ta ketë origjinën nga një rezervuar natyror.”

Ekipi tha se ata kishin ekzaminuar katër hipoteza kryesore për futjen e virusit në popullatën njerëzore.

Ideja që virusi erdhi nga një incident në laborator - një teori e përhapur nga Donald Trump - është "jashtëzakonisht e pamundur" dhe "nuk është një hipotezë për të cilën sugjerojmë studim të mëtejshëm", tha Peter Ben Embarek nga siguria ushqimore e OBSH-së, specialist i sëmundjeve të kafshëve dhe kryetar i ekipit hetimor.

Ai tha që ata intervistuan punonjës dhe ekzaminuan proceset e auditimit shëndetësor kur vizituan Institutin e Virologjisë Wuhan dhe shtoi se është e pamundur që diçka të mund të shpëtojë nga ai vend.

Hipoteza e transmetimit të drejtpërdrejtë zoonotik nga një kafshë tek një njeri është e denjë për studime të mëtejshme hetimore, shtoi Embarek, por rruga më e mundshme është përmes një specie ndërmjetëse që ka qenë "potencialisht më afër njerëzve”.

Hulumtimet e deritanishme kanë sugjeruar që ka të ngjarë që specia që ka transmetuar virusin të ketë qenë lakuriq nate ose pangolina, por Prof. Liang Wannian, kreu i panelit ekspert për Covid-19 në Komisionin Kombëtar të Shëndetit të Kinës, tha se viruset e identifikuara në këto specie ishin "jo shumë të ngjashme për t'u identifikuar si pasardhës i SARS-CoV-2".

Hipoteza që sugjeron se virusi është transmetuar përmes një kafshe ndërmjetëse do të kërkojë studime dhe kërkime specifike. Liang Wannian përmendi edhe gjetjet që mbështesnin sugjerimet që virusi u përhap për herë të parë jashtë Kinës dhe theksoi mundësinë e transmetimit përmes ushqimit të ngrirë të shitur në tregun Wuhan.

Embarek radakord se tregu merrej me ushqime të ngrira "por kishte edhe shitës që shesin produkte nga kafshë të egra dhe ferma”.

Wannian theksoi se ky mision ishte vetëm "pjesa e parë" e hetimeve të OBSH-së për origjinën e virusit, për të cilën tha se Kina kishte bashkëpunuar prej kohësh. Në fakt, misioni ishte rezultat i muajve negociata pasi Pekini fillimisht refuzoi të autorizonte vizitën.

Studimi në Wuhan: Origjina e virusit është ende mister, por OBSH

Burimet: Guardian, BBC