KORONAVIRUS

Krijimi i virusit në laborator - OBSH ndryshon deklaratë: ‘Të gjitha hipotezat janë të hapura’

Shkruar nga Anabel

12 Shkurt 2021

Krijimi i virusit në laborator - OBSH ndryshon deklaratë:

Të gjitha hipotezat janë ende të hapura në kërkimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për origjinën e Covid-19, tha drejtori i saj i përgjithshëm, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Një mision i udhëhequr nga OBSH-ja në Kinë deklaroi këtë javë se nuk po shqyrtonte më tej çështjen nëse virusi u përhap pas një incidenti në një laborator, gjë që e konsideroi shumë të vështirë. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të rishikojnë gjetjet e misionit, raporton Reuters.

“Disa pyetje janë ngritur nëse disa hipoteza janë hedhur poshtë. Duke folur me disa anëtarë të ekipit, dëshiroj të konfirmoj se të gjitha hipotezat mbeten të hapura dhe kërkojnë analiza dhe studime të mëtejshme,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që vizitoi Wuhan-in për të hetuar origjinën e pandemisë së koronavirusit, tri ditë më parë hodhi poshtë teorinë që virusi u krijua në një laborator. Ideja që virusi erdhi nga një incident në laborator është "jashtëzakonisht e pamundur" dhe "nuk është një hipotezë për të cilën sugjerojmë studim të mëtejshëm", tha Peter Ben Embarek nga siguria ushqimore e OBSH-së, specialist i sëmundjeve të kafshëve dhe kryetar i ekipit hetimor.

Ai tha që ata intervistuan punonjës dhe ekzaminuan proceset e auditimit shëndetësor kur vizituan Institutin e Virologjisë Wuhan dhe shtoi se është e pamundur që diçka të mund të shpëtojë nga ai vend.

Por mesa duket, hipoteza se virusi e ka origjinën në një laborator në Kinë kërkon studime të mëtejshme.

Çfarë është thënë më parë për “viruset në laborator”?

Në mars të vitit 2020, nëpër rrjete sociale, sidomos ato italiane, qarkulloi një video e transmetuar në nëntor të vitit 2015 nga Tgr Leonardo, një buletin lajmesh dhe dokumentarësh kushtuar shkencës i prodhuar nga Rai. Në video, pohohej se shkencëtarët kinezë po studionin një virus që shkaktonte sëmundje pulmonare duke marrë në studim minjtë dhe lakuriqët e natës.

“Një grup studiuesish kinezë,” raportoi Tgr Leonardo, “shartuan një proteinë sipërfaqësore të marrë nga një lakuriq nate me një virus që shkakton Sars që vjen nga minjtë” për të parë se "çfarë ndikimi mund të ketë te njerëzit”.

Krijimi i virusit në laborator - OBSH ndryshon deklaratë:

Videoja u interpretua si një provë e mundshme që virusi Sars-Cov-2, i cili shkakton sëmundjen Covid-19, u prodhua në laboratorë nga shkencëtarët kinezë. Sipas kësaj hipoteze, Kina e ka konceptuar Sars-Cov-2 si një armë biologjike dhe është shkaktare e pandemisë aktuale.

Në mes të pandemisë, virusi mori në të vërtetë edhe një qasje politike. Donald Trump i referohej gjithnjë si “virusi kinez”, që u pa si përpjekje për të akuzuar Kinën.

Ajo që e bënte të dyshimtë dokumentarin ishte fakti që nga organet prestigjioze të shëndetësisë nuk kanë përmendur minjtë si shkaktarë të Covid-19. Në disa raste është thënë se mund të kenë qenë pangolinët shkaktarë, por një gjë e tillë u mohua. Lakuriqi i natës është një mundësi, mirëpo ende po studiohet origjina e koronavirusit.

Po komuniteti shkencor ç’thotë?

Përgjithësisht, grupet mjekësore ndërkombëtare ndajnë të njëjtin mendim: Virusi nuk u krijua në laborator. Virologu më i famshëm në Itali, Roberto Burioni, tha në mars se “është e pakuptimtë që lajmet për koronavirusin të shkojnë drejt eksperimentit laboratorik”. Mos u shqetësoni, është 100% natyral për fat të keq,” shkroi ai në Twitter.

Deklaratat paksa kontradiktore të OBSH-së sidoqoftë nuk e përjashtojnë si mundësi, megjithatë referuar çfarë është thënë, mundësitë që virusi të jetë krijuar në laborator janë të pakta. Aktualisht po hulumtohen 4 hipoteza më të pranueshme. Për më shumë informacion në lidhje me hipotezat e tjera të origjinës së koronavirusit, klikoni këtu.