Pasi Justin Timberlake u kërkoi publikisht falje Britney Spears dhe Janet Jackson, kësaj të fundit i ndodhi një surprizë e papritur. Albumi i saj i vitit 1986, “Control”, u rendit në krye të toplistave të javës së kaluar.
Që prej të shtunës, “Control” është albumi i tetë më i shkarkuar në Apple iTunes në 24 orët e fundit. Nisur nga kjo, Janet falenderoi mbështetësit e saj përmes një videoje:
“Isha vetëm në shtëpi një ditë më parë dhe nisa të qaj. Po qaja sepse isha mirënjohëse për gjithë çfarë Zoti më ka bekuar, gjithë çfarë më ka dhënë dhe jam mirënjohëse që ishte në jetën time. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë ju. Jeni kaq të veçantë për mua dhe dua t’ju falenderoj që e vendosët ‘Control’ në vend të parë sërish. Pas 35 vitesh, kurrë në një milion vjet nuk e kisha menduar që do të ndodhte. E vlerësoj me të vërtetë dhe ju dua kaq shumë.”
Në një deklaratë të postuar në llogarinë e tij në Instagram (e premte, 12 shkurt), Justin Timberlake u kërkoi falje Britney Spears dhe Janet Jackson për "hapat e gabuar" për të cilat ai tha se kontribuan në "një sistem që miraton mizogjininë dhe racizmin".
Gjatë performancës në Super Bowl 2004, Justin i tërhoqi veshjen Janet Jackson duke i zbuluar gjoksin. Asokohe, veprimi u kritikua së tepërmi, por të gjitha kritikat ishin për Janet, ndërsa Justin qëndroi në hije.