“Clubhouse” ka mbërritur fuqishëm në konkurrencën mes aplikacioneve dhe rrjeteve sociale dhe ofron potencialin për të transformuar mënyrën se si komunikojmë, ndajmë njohuri dhe madje bëjmë miq të rinj.
Ai është një rrjet social i bazuar te bisedat audio. Përdoruesit mund të dëgjojnë biseda, intervista dhe diskutime të tjera mes njerëzve për tema të ndryshme – është njësoj si një podcast, por live dhe me një dozë të shtuar ekskluziviteti.
Kjo platformë u mundëson përdoruesve të hyjnë dhe të dalin nga dhomat e bisedave të përkohshme dhe të marrin pjesë në një sërë mbledhjesh, nga biseda të vogla të tipit "pije freskuese uji" deri te diskutime më të mëdha që shfaqin panele ekspertësh, shpesh të ndjekura nga mijëra dëgjues. Që nga fillimi i tij marsin e kaluar, Clubhouse është bërë gjithnjë e më shumë një fenomen kulturor, duke tërhequr politikanë, njerëz të famshëm dhe ekspertë nga të gjitha sferat e jetës.
Shifrat e fundit të Clubhouse tregojnë se sa shpejt po rritet. Bashkëthemeluesi, Paul Davion tha se baza javore e përdoruesit aktiv të aplikacionit është dyfishuar në 2 milionë gjatë dy javëve të fundit.
Ajo që e ndan platformën nga çdo gjë tjetër është “fuqia e zërit”.
Një bisedë e shkurtër e drejtpërdrejtë, me nuanca e tone të caktuara, mund të ndërtojë marrëdhënie më të ngushta sesa mijëra postime të shkruara dhe mesazhe të dërguar përmes rrjeteve sociale si Facebook apo Twitter.
“Që kur u bashkova me Clubhouse verën e kaluar, u takova dhe u bëra miq me profesorë, kineastë, artistë, inxhinierë etj, nga vende në të gjithë botën. Të dëgjosh historitë e jetës së njerëzve dhe të marrësh pak nga njohuritë dhe përvojat e tyre është dehëse”, shkruan një përdorues.
Aplikacioni ka përfituar edhe nga pandemia, pasi njerëzit kërkojnë mënyra për t’u socializuar duke shmangur ndërveprimet personale dhe aktivitetet në natyrë. Megjithatë, edhe pa pandeminë, kjo mbetet një mënyrë e përshtatshme për të takuar njerëz të rinj përmes intimitetit të bisedës.
Burimi: Bloomberg Business