Eja shohim pak Tv

Kur bullizohet bullizmi – kjo është çështja

Shkruar nga Anabel

17 Shkurt 2021

Kur bullizohet bullizmi – kjo është çështja

Kur fjala “bullizëm” u përdor për herë të parë aty rreth viteve 1500, nuk ishte kurrfarë lidhje me kuptimin që ka sot, përkundrazi, me prejardhje nga holandishtja, kishte kuptimin “i/e dashur”. Por në rrjedhë të kohës, “të bullizosh” ndryshoi në “të ngacmosh të dobëtit”, një konotacion i cili qëndron edhe sot, ndonëse ndodh të keqkuptohet dhe të ngatërrohet. Përgjithësimi i bullizmit me sjellje të tjera njerëzore, të gabuara, por sidoqoftë jo bullizuese, ka ngritur shqetësimin e ekspertëve të fushës.

Për të dhënë një shembull, do t’i referohemi puntatës së të hënës në programin “Për’Puthen”. Në vija të përgjithshme, një prej konkurrentëve të rinj, Juli, iu drejtua Sindit duke i thënë se “ka dëgjuar shumë fjalë të mira për të” dhe ajo është si “vaji i Borshit” (vaji i Borshit njihet si vaj ekstra i virgjër; Sindi ka deklaruar se është e virgjër). Juli e shpjegoi krahasimin e tij, për të cilin u shpreh se ishte shaka, duke shtuar se nënkuptoi që Sindi ishte vajzë e mirë.

“Nëse të kam fyer, ok, kërkoj falje,” tha ai më tej. “Nga ty nuk pres asgjë, po shko jashtë, shko nëpër shpellat e tua dhe një herë se me mua nuk ke shanse,” u përgjigj Sindi e cila nuk e pranoi faljen duke e quajtur sjelljen e tij bullizëm. Fjalia e Julit mund të jetë shaka, e tepërt, koment i papërshtatshëm, fyes pse jo dhe shumëçka tjetër, por nuk është bullizëm.

Për ta kuptuar më mirë se çfarë nuk shkon me trajtimin e bullizmit në ditët e sotme, do t’i referohemi shpjegimit të termit nga burime të sigurta dhe të vlerësuara.

Qendra Kombëtare Kundër Bullizmit (NCAB), një fondacion australian, e përkufizon bullizmin si “keqpërdorim të vazhdueshëm dhe të qëllimshëm të pushtetit në marrëdhënie përmes sjelljes së përsëritur verbale, fizike dhe/ose psikologjike që synon të shkaktojë dëmtime fizike, sociale dhe/ose psikologjike; mund të përfshijë një individ ose një grup që dëmton një ose më shumë persona. Bullizmi mund të ndodhë personalisht ose në internet, përmes platformave të tjera, në mënyrë të fshehur ose drejtpërdrejtë.”

Shoqata Amerikane e Psikologjisë, organizata më e madhe shkencore dhe profesionale e psikologëve në SHBA, e përkufizon bullizmin si “formë e sjelljes agresive në të cilën dikush qëllimisht dhe në mënyrë të përsëritur shkakton dëmtim ose shqetësim te personi tjetër. Bullizmi mund të marrë formën e kontaktit fizik, fjalëve ose veprimeve më delikate. Individi i ngacmuar zakonisht ka probleme në mbrojtjen e tij dhe nuk bën asgjë që të shkaktojë bullizmin”.

Bullizmi mund të ketë përkufizime të ndryshme, por thelbi, i pranuar nga profesionistë të shëndetit mendor, ekspertë të sjelljes dhe arsimit, është i njëjtë: Përfshin një sjellje agresive fizike, verbale dhe/ose psikologjike drejtuar një personi të caktuar, sjellje të përsëritura në kohë, të cilat kanë për qëllim të çekuilibrojnë fuqinë dhe të përjashtojnë viktimën nga grupi.

Në rastin e “Për’Puthen”, veprimi i Julit, i konsideruar fyes nga disa dhe vetë Sindi, nuk ka ndodhur në mënyrë të përsëritur, përkundrazi ishte hera e parë që ai i drejtohej Sindit. Fyese ose jo, fjalia e tij nuk besojmë se ka për qëllim të “çekuilibrojë fuqinë e Sindit dhe ta përjashtojë nga grupi”, siç rëndom ndodh me bullizmin.

NCAB thekson se nuk kemi të bëjmë me bullizëm kur ndodhin:
- episode të vetme të refuzimit ose mospëlqimit shoqëror
- veprime të ndryshme episodike
- veprime episodike agresive, fyese
- argumente reciproke, mosmarrëveshje ose grindje

"Tani ne shohim shumë prindër që përpiqen të përgjithësojnë se çfarë është bullizmi - çdo herë që fëmijët i bëjnë diçka njëri-tjetrit, le ta quajmë bullizëm dhe të merremi me të në këtë mënyrë,” tha për CNN Kevin Quinn, president i Shoqatës Kombëtare Amerikane të Zyrtarëve të Burimeve të Shkollave.

Disa studiues thonë se termi “bullizëm” është keqpërdorur dhe abuzuar vitet e fundit. "Duke e quajtur gjithçka bullizëm, ne në të vërtetë nuk po njohim seriozitetin e problemit," tha po për CNN Elizabeth Englander, një profesoreshë e psikologjisë dhe themeluese dhe drejtoreshë e Qendrës së Reduktimit të Agresionit në Massachusetts. “Është një nga efektet anësore, fatkeqësisht, të bërjes së një fushate ndërgjegjësimi. Të gjithë duan ta adoptojnë.”

Ekspertët e quajnë këtë fenomen si “bullizimi i bullizmit”. “Është një mizori e pandërprerë natyra e një mjedisi të tillë që përfshin çdo grindje sociale ose grindje në përgjithësi nën rubrikën e bullizmit,” shkruan Englander në librin “Bullying and Cyberbulling”.

“Nëse të gjithë janë viktima, atëherë askush nuk është viktimë,” thekson ajo.