Numri i lartë i infektimeve dhe shtimet e pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor kanë hapur diskutime të reja. I ftuar mbrëmjen e djeshme tek "Open", mjeku Genc Sulçebe tha se po gabohet me mënyrën e mjekimit të pacientëve. Sipas tij, mjekimi duhet të fillojë pas ditës së 10 të infektimit dhe jo më herët.
Sipas tij, përdorimi më i hershëm i antibiotikëve, kortizonikëve e predizonit është i dëmshëm sepse pengon përgjigjen imunitare normale.
“Kemi një trajtim të ekzagjeruar. Përdoren antibiotikët që nuk kanë asnjë efekt, ato duhet të përdoren pas ditës së 10 kur akoma ka infeksion të madh. Ka përdorim të kortizonikëve, predizonit, kur është i dëmshëm sepse pengon përgjigjen imunitare normale, duhet ta lëmë të lirë që ta mposhti virusin e ta pastrojë sistemin. Është faji i mjekëve kur u shkon një person me temperaturë e i mbushin me antibiotikë."- u shpreh ai, por jo të gjithë mjekët e tjerë në panel ndanë të njëjtin mendim.
Nga ana tjetër, Andi Koraqi, anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve u shpreh për Euronews se edhe dy muajt e ardhshëm do të jetë të vështirë përsa i përket situatës së Covid-19.
“Është reflektim i sjelljes së qytetarëve, si pasojë e mosrespektimit të masave për parandalimin e Covid-19. Ndoshta ardhja ose prania e disa mutacioneve që kanë një përhapje shumë të madhe. Megjithatë këto nuk janë të konfirmuara. Nuk është çudi që të jenë të pranishme. Nuk është se do të ketë një periudhë qetësie."- u shpreh ai.