Dashuri dhe seks

Nëse partneri kërkon hapësirë, ja sa hapësirë duhet t'i jepni!

Shkruar nga Anabel

5 Mars 2021

Nëse partneri kërkon hapësirë, ja sa hapësirë

Nëse jeni tipi i personit që nuk ka nevojë për shumë kohë vetëm, asgjë s'do ju duket më e paqartë dhe shqetësuese kur partneri t'ju kërkojë "hapësirë". Është kaq e lehtë të përhapësh panik dhe të mendosh se ke bërë ndonjë gabim, por e vërteta është se pak hapësirë mund ta bëjë lidhjen më të shëndetshme.

Kur një partner ka nevojë për pak kohë për veten tij, kjo s'do të thotë domosdoshmërisht se ai është i mërzitur me ju apo se marrëdhënia juaj po shkatërrohet. 

"Ndonjëherë kalojmë shumë kohë me një partner ose na mungojnë miqtë tanë, ose fillojmë të mos ndihemi më si vetvetja. Herë të tjera, është një kombinim i të gjitha këtyre bashkë. Kjo hapësirë e kërkuar mund të na ndihmojë të rivendosim ekuilibrin", shprehet Jacqueline Shlain, terapiste e martesës dhe familjes.

Çelësi sidoqoftë, qëndron në mënyrën se si e "japim këtë kohë/hapësirë". A duhet të tërhiqeni për një orë? Një ditë? Një javë? A do të thotë kjo që s'do flisni as me mesazhe? 

"Nëse e bëni siç duhet, do kuptoni se kjo hapësirë mund t'ju bëjë të ndiheni më mirënjohës për njëri-tjetrin dhe madje t'ju afrojë më shumë së bashku."

 Atëherë, le të flasim për sa kohë duhet të kaloni "të ndarë".

Meqënëse situata është unike për çdo marrëdhënie, gjëja e parë që duhet të bëni është t'i kërkoni partnerit t'ju shpjegojë se çfarë nënkupton me "hapësirë" dhe se si mendon ai se mund ta ndihmoni ju. 

"Ndonjëherë është shumë e lehtë. Ata thjesht mund të duan më shumë kohë për të ndjekur një hobi apo për të shkuar në palestër."

Merrni përgjigje për të gjitha pyetjet tuaja në mënyrë që të mos ndiheni të hutuar. Nëse partneri thjesht dëshiron një mbrëmje vetëm që të qetësohet pas një eksperience të vështirë, për shembull, pyeteni se si do ta dini kur ai do të jetë gati që të flisni përsëri. Në atë mënyrë, të dy do të dini se çfarë pritet nga ju.

Megjithatë, telashet lindin kur një partner "dëshiron hapësirë", por nuk mund të përcaktojë se çfarë do vërtet. Kërkojini atij të jetë më specifik sepse kështu dhe ju do keni mundësi t'i ndihmoni. Nëse partneri s'është i qartë vendosni disa rregulla si: "S'do dërgojmë mesazhe gjatë orarit të punës" apo "Do rrimë vetëm çdo natë të kësaj jave" dhe përmbajuni këtyre rregullave.

Sigurisht, nëse kërkesa e një partneri për hapësirë? duket plotësisht qesharake, ju nuk keni pse të bini dakord me ta vetëm për t'i bërë të lumtur. 

Po kur bashkëjetoni, si t'i jepni hapësirë partnerit?

Duket si situatë e ndërlikuar, por s'është fundi i botës. Ju mund të largoheni çdo mëngjes për të pirë një kafe, për të ecur jashtë vetëm, për të mbaruar ca punë vetë apo për të dalë me një mik. 

Kështu që herën tjetër kur partneri juaj kërkon pak kohë vetëm, mos u frikësoni. Në vend të kësaj, merrni gjithë përgjigjet që ju duhen. Bisedoni derisa të arrini në mënyrën më të mirë për t'i dhënë partnerit tuaj hapësirë, për të respektuar kufijtë e njëri-tjetrit dhe për të krijuar një marrëdhënie më pozitive.