KORONAVIRUS

Origjina e Covid: Raporti i OBSH-së thotë se kafshët janë burimi i mundshëm

Shkruar nga Anabel

29 Mars 2021

Origjina e Covid: Raporti i OBSH-së thotë se kafshët janë

Një studim i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Kinës mbi origjinën e Covid-19 thotë se transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër është skenari më i mundshëm dhe se një dalje e virusit nga laboratori është "jashtëzakonisht e pamundur", sipas një drafti kopje të marrë nga Associated Press (AP).

Gjetjet ofrojnë pak njohuri të reja se si virusi u shfaq për herë të parë dhe lënë shumë pyetje pa përgjigje, megjithëse kjo pritej. Por raporti ofron më shumë detaje mbi arsyetimin pas përfundimeve të studiuesve. Ekipi propozoi kërkime të mëtejshme në çdo fushë përveç hipotezës së daljes së virusit nga laboratori.

Raporti po vëzhgohet nga afër pasi zbulimi i origjinës së virusit mund të ndihmojë shkencëtarët të parandalojnë pandemitë në të ardhmen - por është gjithashtu jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi Kina po akuzohet se është fajtore për pandeminë aktuale. Raporti bazohet në një vëzhgim të një ekipi ekspertësh ndërkombëtarë të OBSH-së në Wuhan, qyteti kinez ku u zbulua për herë të parë Covid-19, nga mesi i janarit deri në mes të shkurtit.

Në draftin e marrë nga AP, studiuesit renditën katër skenarë për shfaqjen e koronavirusit të quajtur SARS-CoV-2. Në krye të listës ishte transmetimi nga lakuriqët e natës përmes një kafshe tjetër, për të cilën ata thanë se ka shumë të ngjarë. Ata vlerësuan përhapjen e drejtpërdrejtë nga lakuriqët e natës tek njerëzit si të mundshme dhe thanë që përhapja përmes produkteve ushqimore të ngrira është e mundur, por jo fort bindëse.

Lakuriqët e natës njihen për bartjen e koronavirusëve dhe, në fakt, tek lakuriqët e natës është gjetur lloji më i afërt i virusit që shkakton Covid-19. Sidoqoftë, raporti thotë se "distanca evolucionare midis këtyre viruseve të lakuriqëve të natës dhe SARS-CoV-2 vlerësohet të jetë disa dekada, duke sugjeruar një lidhje që mungon”.

AP shkruan që raporti thotë se viruse shumë të ngjashme janë gjetur te pangolinat, një lloj tjetër gjitarësh, por gjithashtu vuri në dukje se vizonët dhe macet janë të ndjeshëm ndaj Covid-19, duke sugjeruar se edhe ata mund të jenë bartës.

Shënim.red. Bëhet fjalë për kafshët ndërmjetëse që kanë jetuar në habitate të caktuara (si macet e egra) dhe kanë transmetuar virusin te njeriu dhe JO për kafshët shtëpiake (si macet apo qentë). Nuk ka asnjë studim që tregon rrezikun e infektimit nga kafshët shtëpiake. 

AP mori draftin e kopjes së raporit këtë të hënë (29 mars) nga një diplomat me bazë në Gjenevë dhe anëtar i OBSH-së. Nuk është e qartë nëse raporti mund të ndryshohet para se të publikohet, megjithëse diplomati tha se ishte versioni përfundimtar. Një diplomat i dytë konfirmoi marrjen e raportit gjithashtu. Të dy refuzuan të identifikohen sepse nuk janë të autorizuar ta publikojnë para botimit.

Peter Ben Embarek, eksperti i OBSH-së që udhëhoqi misionin në Wuhan, tha të premten se raporti ishte finalizuar dhe po kontrollohej dhe do të përkthehej.

Origjina e Covid: Raporti i OBSH-së thotë se kafshët janë