Reese Witherspoon e kupton shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh në qendër të vëmendjes mediatike dhe se si është të portretizohesh në sytë e publikut në një formë që ti ndoshta nuk je në të vërtetë. Në një intervistë për Time, aktorja reflektoi për mënyrën se si është përballur me publikun për vite me radhë.
Në nëntor të vitit 2006, ajo bëri kërkesën për divorc nga Ryan Phillippe, me të cilin ka dy fëmijë, vajzën Ava dhe djalin Deacon. Përpos tyre, Reese ka edhe një djalë 8 vjeç, Tennessee, me bashkëshortin Jim Toth. Duke shkuar pas në kohë, ylli i “Legally Blonde” u shpreh se ndiqej nga paparacët kudo, në kishë, në shkollën e fëmijëve, në kurset e tyre. Ajo tregoi se shumë fotografë parkuan para shtëpisë së saj në Kaliforni, i drejtuan kamerat te dritarja e kuzhinës për të shkrepur fotografi çdo orë.
“Fëmijët e mi mund t’ju tregojnë histori rreth njerëzve që ngjiteshin sipër makinës tonë teksa ata ishin thjesht nxënës parashkollorë,” tha ajo. 45-vjeçarja krahasoi përvojën e saj me atë të Britney Spears kur kërkoi divorcin nga ish-bashkëshorti Kevin Federline në nëntor të vitit 2006 dhe paparacët e ndiqnin kudo, ndonëse ishte me fëmijët.
Megjithatë, Witherspoon e di që mediat e trajtuan ndryshe nga Spears. Ajo tha se gratë si Britney Spears, Paris Hilton dhe Lindsay Lohan u portretizuan si "të këqija", ndërsa gratë si ajo dhe Jennifer Garner u etiketuan si "të mira”.
"Po sikur media të kishte vendosur që unë të isha diçka tjetër? Unë do të isha në një pozicion krejtësisht të ndryshëm. Unë dua të them se janë vendimet e mia ose zgjedhjet e karrierës që bëra, por dukej si shumë arbitrare [që caktohet rastësisht, jo sipas një rregulli të paravendosur].”
Trajtimi i Britney Spears nga mediat u vendos në qendër të dokumentarit "Framing Britney Spears”, që shkaktoi jo pak komente.
Shënim: Në një version të mëparshëm të këtij artikulli, u shkrua gabimisht se Deacon është vajzë; Deacon është djali i Witherspoon.