KORONAVIRUS

Kur do të lirohen masat? Flet ministrja e Shëndetësisë

Shkruar nga Anabel

25 Maj 2021

Kur do të lirohen masat? Flet ministrja e Shëndetësisë

Situata e qëndrueshme e Covid-19 në vend, bën që njerëzit të pyesin çdo ditë e më tepër se çfarë do të ndodhë me masat në fuqi. A do të lehtësohen dhe nëse po, kur do të ndodhë kjo?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një deklarate të fundit teksa njoftonte mbylljen e pavioneve të Covid-19 në spitalin rajonal të Elbasanit, shtoi se gjatë dy ditëve të ardhshme do të komunikohet vendimi për lehtësimin e masave.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke vlerësuar në dinamikë situatën. Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat. Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale. Pra do të ecim me një gradualitet edhe për sa i përket lehtësimit të masave që aktualisht kemi të përcaktuara."

Nisur nga numri i rasteve dhe fataliteteve, ministrja e quan "shumë të kontrolluar" situatën epidemiologjike, prandaj sipas saj është momenti i duhur për të rishqyrtuar masat në fuqi. Ditën e djeshme për herë të parë pas më shumë se 1 viti, në Tiranë nuk kishte asnjë rast pozitiv të infektuar me Covid-19.

Burimi: Euronews.al