Prej disa javësh, vihet re një reduktim i ndjeshëm i njerëzve që mbajnë maska; si në ambiente të hapura ashtu dhe ato të mbyllurat. Rënia e numrave dhe qëndrueshmëria e situatës ka bërë që qytetarët të heqin dorë, pavarësisht se masat kufizuese janë ende në fuqi. Çfarë sugjerojnë ekspertët?
Silva Bino, shefja e ISHP-së tha se në ambientet e hapura maska nuk është më e nevojshme, por s'mund të themi të njëjtën gjë për vendet e mbyllura.
“Do sugjeroja, personalisht që maskat në publik të mos mbahet më. Por mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, po. Duhet të mbajnë të gjithë maska. Në markete, në qendra tregtare, në vende ku ka grumbullime njerëzish duhen mbajtur. Ka njerëz që edhe pse e kanë kaluar, nuk kanë krijuar imunitet dhe mund të riinfektohen. Mund të kemi mutantë. Përderisa e kemi mes nesh. Covidi është sëmundje e re, nuk mjafton një vit për ta njohur. Ne duhet të jemi sa më të kujdesshëm, kjo do të vlerësohet pastaj në bazë të studimeve, për të parë edhe impaktin e vaksinave."
Ndërsa e pyetur se çfarë do të ndodhë me eventet e mëdha, dasmat, etj, Bino u shpreh se mund të organizohen, por duhet patur parasysh një numër i reduktuar njerëzish që do të thotë: më pak se 100 persona!
Përsa i përket rënies drastike të shifrave dhe vendimeve të reja, shefja e ISHP-së konfirmoi se Komiteti i Ekspertëve do të komunikojë masat e reja gjatë ditëve në vijim.
“Komiteti do të mblidhet, nuk është se nuk ka diskutuar të gjitha masat sepse diskutimet bëhen edhe online dhe mund të ketë mbledhje të cilat nuk transmetohen. Komiteti ka bërë një bilanc të situatës ku jemi, të shifrave, të gjithçkaje dhe po ashtu në krahasim me vendet e tjera."
Masat në fuqi, përfshi dhe fashën orare e kanë përfunduar afatin që prej 20 majit, sipas urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Burimi: Abc News