Celebrity

Zbulohen dokumentet e fshehta: Britney Spears e ka kundërshtuar prej vitesh kujdestarinë e të atit

Shkruar nga Anabel

23 Qershor 2021

Zbulohen dokumentet e fshehta: Britney Spears e ka kundërshtuar prej vitesh
Foto: Charles Sykes/Invision

Britney Spears për vite me radhë ka kundërshtuar seriozisht kujdestarinë e të atit, i cili ka kontroll mbi financat dhe jetën e saj personale, sipas dokumenteve konfidenciale të siguruara nga New York Times.

Ylli i pop-it ka komentuar rrallë marrëveshjen e pazakontë ligjore që i ka hequr asaj pavarësinë që nga viti 2008. Por të dhënat e rishikuara nga New York Times, zbulojnë se ajo ka kundërshtuar vazhdimisht autoritetin që gjykatat i dhanë babait të saj, Jamie Spears.

"Ajo artikuloi se ndien se kujdestaria është bërë një mjet shtypës dhe kontrollues kundër saj," shkroi një hetues gjykate në vitin 2016, sipas raportit të Times. Këngëtarja tha se sistemi kishte "shumë kontroll. Shumë, shumë!", përmblodhi hetuesi. Marrëveshja ishte aq e rreptë, tha Spears, sa i dha të atit pushtet mbi çdo vendim, përfshirë njerëzit me të cilët ajo dilte, miqtë me të cilët shoqërohej apo mënyrën si dekoronte shtëpinë.

Dokumentet u zbuluan një ditë para se këngëtarja të drejtohet publikisht në gjykatë në një seancë dëgjimore ditën e sotme për kujdestarinë, një moment i rëndësishëm në një betejë shumëvjeçare, të cilën ajo pothuajse kurrë nuk e ka komentuar drejtpërdrejt. Lufta ligjore mbi kujdestarinë ka qenë e fshehur për vite me radhë, megjithëse Spears, përmes avokatit të saj, kohët e fundit ka kërkuar më shumë transparencë dhe vitin e kaluar bëri të qartë në gjykatë se ajo nuk dëshiron që babai të përfshihet në punët e saj.

Në vitin 2016, hetuesi i gjykatës tha se këngëtarja kërkoi që kujdestaria të ndërpritet sa më shpejt të jetë e mundur: "Ajo është 'e sëmurë nga përfitimi’ dhe tha se është ajo që punon dhe fiton paratë, por të gjithë rreth saj janë tek lista e pagave,” raporton Times.

Këngëtarja më tej përshkroi se ishte e rrethuar nga stafi i sigurisë në çdo kohë dhe se karta e kreditit mbahej nga ekipi i sigurimit dhe ndihmësi. Ajo iu ankua hetuesit se nuk mund të bënte ndryshime në shtëpi.

Në vitin 2019, këngëtarja i tha gjyqtarit se i ati e kishte detyruar atë të qëndronte në një institucion të shëndetit mendor dhe të vepronte kundër vullnetit të saj, sipas New York Times.

Dokumentari i Times “Framing Britney Spears”, i cili u publikua në fillim të këtij viti, theksoi kontradiktat për Britney-n - ajo mund të performonte nëpër shfaqje dhe të bënte miliona para, por konsiderohej e paaftë për të marrë vendime themelore në lidhje me shëndetin dhe financat e saj.

Kujdestaria është një vendim i caktuar nga gjykata, kryesisht për njerëzit që nuk mund të marrin vendime për veten e tyre. Por kritikët kanë argumentuar se procesi mund të shfrytëzohet dhe kanë theksuar rastin e Spears si një shembull të abuzimit.

Marrëveshja u arrit pasi ajo pësoi një krizë mes abuzimeve të forta nga paparacët, të cilët e ndiqnin dhe shfrytëzonin betejat e saj me shëndetin mendor.

Burimet: New York Times, Guardian