Numri i të vdekurve në përmbytjet shkatërruese në Gjermaninë perëndimore dhe Belgjikë është rritur në të paktën 170, deri të shtunën, pas shpërthimit të lumenjve dhe përmbytjeve të mëdha këtë javë ku u shembën shtëpi dhe u shkatërruan rrugë dhe linja elektrike.
Rreth 143 njerëz kanë humbur jetën në përmbytjen që u cilësua si "katastrofa më e rëndë natyrore e Gjermanisë në më shumë se gjysmë shekulli". Qindra njerëz janë ende të zhdukur, pasi disa zona kanë mbetur të paarritshme për shkak të niveleve të larta të ujit. Banorët dhe pronarët e bizneseve janë përpjekur të shpëtojnë disa copëza nga vendet e shkatërruara.
"Gjithçka është shkatërruar plotësisht. Vendi nuk njihet më", u shpreh Michael Lang, pronari i një dyqani vere në qytetin Bad Neuenahr-Ahrweiler në Ahrweiler, teksa përpiqej të mbante lotët.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, vizitoi Erftstadt në shtetin e Nordrhein-Westfalen, ku katastrofa vrau të paktën 45 njerëz.
"Jemi me ata që kanë humbur miq, të njohur, familjarë", tha ai. "Fati i tyre po na thyen zemrat."
Rreth 700 banorë u evakuuan të premten vonë pasi një digë u thye në qytetin Wassenberg pranë Cologne, thanë autoritetet. Megjithatë, kryetari i bashkisë së Wassenberg, Marcel Maurer, tha se nivelet e ujit "janë stabilizuar që prej asaj nate".
"Është shumë herët për të dhëna të qarta, por ne jemi optimistë dhe të kujdesshëm."
Diga Steinbachtal në Gjermaninë perëndimore, sidoqoftë, mbetet në rrezik pas evakuimit të rreth 4500 njerëzve. Steinmeier tha se do të duheshin javë para se dëmi i plotë, që pritet të kërkojë disa miliarda euro në fonde rindërtimi, të mund të vlerësohet.
Në Belgjikë, numri i të vdekurve u rrit në 27, sipas qendrës kombëtare të krizës, e cila po koordinon operacionin e ndihmës atje. Qendra shtoi se 103 njerëz ishin "të zhdukur ose të paarritshëm". Disa ishin me siguri të paarritshëm sepse nuk mund të rimbushnin celularët ose ishin në spital pa mjete identitetifikuese.
Gjatë këtyre ditëve, përmbytjet, të cilat kanë goditur kryesisht shtetet gjermane të Rhineland Palatinate dhe North Rhine-Westphalia dhe Belgjikën lindore, kanë shkëputur komunitete të tëra nga energjia dhe komunikimet.
RWE (RWEG.DE), prodhuesi më i madh i energjisë në Gjermani, tha të shtunën se miniera e saj e hapur në Inden dhe termocentrali me qymyr Weisweiler u prekën masivisht, duke shtuar se impianti po funksiononte me kapacitet më të ulët pasi situata ishte stabilizuar disi.
Në provincat jugore belge të Luksemburgut dhe Namur, autoritetet nxituan të furnizonin me ujë të pijshëm familjet. Operatori belg i rrjetit hekurudhor Infrabel publikoi planet e riparimeve të linjave, disa prej të cilave do të ktheheshin në shërbim vetëm në fund të gushtit.
Gjatë këtyre ditëve, politikanë po vizitojnë zonat e dëmtuara dhe po përpiqen të nisin planet financiare të rimëkëmbjes.
Alarm edhe në Hollandë
Shërbimet e urgjencës në Hollandë gjithashtu qëndruan në gatishmëri të lartë pasi lumenjtë e tejmbushur kërcënuan qytete dhe fshatra në të gjithë provincën jugore të Limburg.
Dhjetëra mijëra banorë në rajon janë evakuuar në dy ditët e fundit, ndërsa ushtarët, zjarrfikësit dhe vullnetarët punuan furishëm gjatë natës të së premtes për të zbatuar pritat dhe për të parandaluar përmbytjet.
Hollandezët deri më tani i kanë shpëtuar katastrofës dhe nuk raportohen viktima.
Shkencëtarët kanë thënë prej kohësh se ndryshimi i klimës do të çojë në reshje më të mëdha. Por përcaktimi i rolit të tij në këto reshje të pamëshirshme do të kërkojë të paktën disa javë për t'u hulumtuar.
Luksemburgu dhe Zvicra
Luksemburgu dhe Zvicra u goditën gjithashtu nga shiu i rrëmbyeshëm dhe paralajmërimet u lëshuan në disa rajone.
Në fillim të kësaj jave, Britania u godit nga përmbytje të mëdha që "zhytën pjesë të Londrës në ujëra të thella dhe i kthyen rrugët e banimit në lumenj që rrjedhin".
Burimi: Washington Post, Reuters