Femije

Çfarë mund të mësojnë prindërit nga Simone Biles

Shkruar nga Anabel

1 Gusht 2021

Çfarë mund të mësojnë prindërit nga Simone Biles

Vetëm disa ditë më parë, Simone Biles dukej një medaliste e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, por ajo u tërhoq nga gara për t’u përqendruar te shëndeti mendor.

E njohur gjerësisht si gjimnastja më e mirë në botë, rasti i saj duhet të shërbejë si një model për prindërit dhe mënyrën si duhet të sillen me fëmijët dhe të rinjtë, sipas psikologut John Duffy, autor i "Prindërimi i adoleshentit të ri në epokën e ankthit”. Duffy është i specializuar në punën me adoleshentët, prindërit, çiftet dhe familjet.

Në një artikull, ai tregon mënyrën se si prindërit duhet të edukojnë veten për të siguruar më shumë ekuilibër për fëmijët dhe familjet.

Jini të vetëdijshëm për gjuhën

Presioni me të cilin përballet një atlet elitar si Simone Biles ngre një pyetje interesante për prindërit në lidhje me qëndrueshmërinë mendore. Shumë prej nesh u rritën duke qenë të shtyrë drejt performancës sonë më të mirë me shprehje si “mos hiq kurrë dorë”, “është thjesht në mendjen tënde”, “dilja mbanë”, “përballoje dhimbjen” etj.

Shumë prej nesh që studiojmë prindërimin argumentojmë se ndër gjërat më të rëndësishme që mund t'u mësojmë fëmijëve tanë është elasticiteti, se ata mund të arrijnë gjëra të vështira përballë presionit - ndonjëherë presion shumë të madh.

Megjthatë, ndonëse duam që fëmijët tanë të shkëlqejnë dhe të arrijnë lart, ne nuk duam që ata ta bëjnë këtë në kurriz të mirëqenies së tyre mendore dhe emocionale.

Sigurohuni që fëmija juaj ta pëlqejë aktivitetin

Ndonjëherë ne i shtyjmë fëmijët tanë të marrin pjesë në aktivitete që nuk u pëlqejnë ose që nuk përputhen me interesat ose aftësitë e tyre. Është tepër e rëndësishme që fëmijët të angazhohen në diçka, por nuk është produktive nëse ata nuk e shijojnë atë.

Po kështu, është gjithashtu e rëndësishme që ne të mos përpiqemi të rijetojmë fëmijërinë tonë përmes fëmijëve tanë. Lëreni egon tuaj dhe shihni se çfarë i pëlqen fëmijës.

Gjeni “pikën e kthesës”

Pika jonë e kthesës - kur shëndeti ynë mendor kërkon vëmendje dhe ekuilibër - është i ndryshëm për të gjithë. Shumë njerëz e injorojnë këtë, duke mos marrë parasysh ose duke e marrë mirëqenien emocionale të fëmijëve si të mirëqenë, e cila është gjysma e suksesit.

Flisni me ta

Njëfarë stresi nuk është vetëm i tolerueshëm, por i dëshirueshëm, në mënyrë që të japin më të mirën e tyre. Problemi lind kur fëmijët stresohen shumë. Fëmijët duhet të jenë të hapur ndaj mundësisë për të punuar më shumë në një drejtim të caktuar.

Kjo mund të përfshijë aktivitete të tjera, terapi ose diskutim të hapur.

Sipas Duffy, “të kujdesesh për shëndetin tonë mendor nuk do të thotë gjithmonë të heqësh dorë nga medaljet e arta. Por ndonjëherë garat zbehen dhe shëndeti mendor është më i rëndësishëm.”