A është dëshira për një bashkëveprim më të mirë mes njerëzimit dhe biosferës së Tokës (vetëm) një çështje grash? A është ndryshimi i klimës një fatkeqësi e krijuar nga burrat?
Vështirë të ketë një përgjigje përgjithësuese. Njerëzit janë të ndryshëm dhe nuk ka studime të mirëfillta që të vërtetojnë nëse ndryshimi i klimës është pasojë vetëm e veprimeve të burrave. Megjithatë, ka studime që sugjerojnë se kur bëhet fjalë për qasjen ndaj mjedisit, ekziston disi një ndarje me bazë gjinore.
Burrat kanë më pak të ngjarë të jetojnë një stil jetese që është miqësor me mjedisin, një fenomen që studiuesit e quajnë “stereotipi i gjelbër-femëror”.
Lidhja midis gjinisë dhe qasjes për një jetë që mbron mjedisin nuk është diçka e re. Gjatë viteve të fundit ka pasur disa raporte që tregojnë se si burrat hedhin më shumë mbeturina, riciklojnë më pak dhe lënë një gjurmë më të madhe të karbonit sesa gratë.
Një studim i botuar në Journal of Consumer Research nga pesë universitete në SHBA, me titull “A është të qenit miqësor me mjedisin jo-burrërore? Stereotipi i gjelbër-femëror dhe efekti i tij” gjeti një lidhje psikologjike mes të qenit miqësor me mjedisin dhe perceptimit të feminitetit.
Autorët thonë se sondazhet treguan se të qenit miqësor me mjedisin perceptohet si diçka “më femërore” – si nga burrat, ashtu edhe nga gratë.
Në një seri eksperimentesh që përfshinë 2,000 pjesëmarrës nga SHBA dhe Kina, shkencëtarët zbuluan se “si burrat ashtu edhe gratë i vlerësuan produktet, sjelljet dhe konsumatorët eko-miqësorë si më femërore”.
Ata theksojnë se ka edhe një problem marketingu në mes. Studiuesit thonë se problemi nuk qëndron te djemtë a burrat, por te bizneset që nuk po bëjnë aq sa duhet për të inkurajuar qasjen pro-mjedisit edhe te kjo gjini. “Bëjeni këtë qasje të ndihet edhe burrërore – dhe sigurisht që ata do të jenë miqësorë me mjedisin,” thanë ata.
Burimet: Climate Change Communication – Yale Program, Global Citizen, Euronews