Më shumë detaje janë zbuluar për serialin e ri televiziv $NOB, i njoftuar prej kohësh në rrjetet sociale të Anabel Media.
$NOB, bashkë-prodhim i "Anabel Entertainment" dhe "Nilor Film", do të transmetohet në Top Channel. Për momentin nuk ka një datë fikse për serialin, por pritet që të nisë këtë vjeshtë.
Të pasur vs të varfër: Në trailer vihet re hendeku i thellë dy botëve në Shqipërinë e këtyre viteve, ndarje që përcillet përmes paragjykimeve, intrigave, dramës, pasionit dhe ankthit.
Seriali është një prej prodhimeve më të mëdha kinematografike të post-komunizmit në Shqipëri, me një kast aktorësh të rinj që do të sjellin një frymë të re aktrimi në kinemanë shqiptare dhe një tjetër kast me aktorë të njohur te teatrit dhe filmit shqip.
“Përzgjedhja e kastit ka qenë shumë e kujdesshme. Kemi konsideruar dhe rikonsideruar shumë aktorë. Kemi bërë kërkime si për aktorë në Shqipëri ashtu edhe për aktorë shqiptarë që jetojnë jashtë. 90% e kastit vijnë me eksperienca të mëparshme aktrimi, kurse të tjerë të rinj që kanë role kyçe, u janë nështruar disa audicioneve dhe rreth një viti trajnimi të përjavshëm me pedagogë të Akademisë, për të arritur në performancën që ne kërkojmë," tregoi për Anabel, Ols Abazi, bashkë-producent dhe bashkë-themelues i "Nilor Film”.
Sezoni i parë i $NOB, krijuar dhe me skenar nga Dalina Buzi, regji të Redi Trenit dhe me drejtor fotografie Latif Hasollin, ka 10 episode nga 1 orë secila.
Trailerin e ndiqni në videon e mëposhtme, ndërsa për më shumë informacion për kastin e $NOB dhe jo vetëm, klikoni këtu.