Qesh mirë kush qesh i fundit...dhe në këtë rast, është Kristen Stewart ajo që po u qesh të gjithë njerëzve që nuk besuan në aftësinë e saj për të luajtur Lady Diana-n. Le ta themi që skeptikët ishin të shumtë.
Do të duhet të presim fillimin e nëntorit për të parë filmin “Spencer” – që do të përqendrohet te një fundjavë shumë delikate, në fillim të viteve '90-të, kur Diana kuptoi se martesa me princin nuk po funksiononte dhe donte të arratisej nga rruga për t'u bërë një ditë mbretëreshë – por deri atëherë, mund të gjykojmë nga traileri.
Kristen Stewart është aktorja e tretë së fundmi që hyn në këpucët e princeshës, pas Emma Corrin dhe Elizabeth Debicki në “The Crown”.
Referuar komenteve online, njerëzit vlerësojnë transformimin e aktores, qoftë fizikisht ashtu edhe në aktrim. Ata theksojnë punën e regjisorit Pablo Larraín. Sipas tyre, Stewart ka goxha potencial, të cilin Larraín ka qenë në gjendje ta përcjellë te “Spencer”.
“Nuk kam qenë fans i madh i Kristen, por ky aktrim më ka mrekulluar. Mezi po pres,” shkruan dikush mes shumë të tjerëve. Të tjerë, nxjerrin në pah edhe faktin që aktoja ka përvetësuar theksin britanik, ndonëse flet shumë pak në trailer.
"Kristen është një nga aktoret më të mira që kemi sot. Që ta bësh mirë këtë film, të duhet diçka shumë e rëndësishme, siç është misteri. Kristen mund të jetë shumë gjëra, por mbi të gjitha di të jetë e mistershme, shumë e brishtë dhe shumë e fortë në të njëjtën kohë. Ne kjo na duhet, kombinimi i këtyre elementeve më bëri që të më shkonte menda tek ajo,” është shprehur më parë Larraín.
Ndërkohë aktorja ka thënë për InStyle se, “Njerëzit e njohin shumë mirë zërin e saj, është kaq i dallueshëm dhe i veçantë, prandaj kjo më vendos në siklet. Po punoj shumë dhe madje kam një trajner që po më ndihmon me dialektin."
Për Kristen, ky është roli më emocionues i karrierës së saj deri tani.