Kinema & TV

Skenaristja Dalina Buzi dhe regjisori Redi Treni për $NOB: 'Imazh Netflixi ku flitet shqip'

Shkruar nga Anabel

7 Shtator 2021

Skenaristja Dalina Buzi dhe regjisori Redi Treni për $NOB: 'Imazh

Në një intervistë për “Wake up” në Top Channel, krijuesja dhe skenaristja e $NOB, Dalina Buzi, dhe regjisori Redi Treni folën se si nisi puna për serialin e parë teen-drama në Shqipëri dhe çfarë presin ata pas publikimit, që do të nisë këtë vjeshtë në Top Channel.

“Është interesante. Gjithçka filloi kur bota ndaloi nga pandemia,” u shpreh regjisori Redi Treni. “Ne aty për herë të parë u hasëm me skenarin që kishte shkruar Dalina. Më shumë se dëshira ime personale, ishte dëshira e Olsit [Ols Abazi, bashkë-producent i $NOB dhe bashkë-themelues i Nilor Film] që ta mbante bashkëpunimin me Dalinën dhe ndërkohë ne kishim urinë për të bërë diçka të mirë. Vinim nga një prodhim tjetër kinematografik, që e kishim prodhuar të gjithin në një studio në Shqipëri.”

Skenaristja Dalina Buzi dhe regjisori Redi Treni për $NOB: 'Imazh

Në lidhje me subjektin e $NOB dhe gjininë e serialit, skenaristja Dalina Buzi u shpreh:

“Në qendër janë të rinjtë. Teen-drama është gjinia, por nuk është për adoleshentë të mirëfilltë. Nuk zhvillohen ngjarjet në gjimnaz, janë të rinj 20 e diçka vjeç që sapo kanë filluar të marrin pavarësinë. Të rinjtë në fund të ditës zbulojnë se janë viktima të prindërve të tyre dhe çdo gjë e kanë trashëguar nga zgjedhjet që kanë bërë prindërit në jetë.”

Buzi theksoi se “skenari nisi në një kohë trysnie shumë të madhe dhe fakti që më erdhi [natyrshëm] është se ka qenë brenda meje. Qoftë si gazetare, apo [përmes komunikimit] me njerëzit në Anabel i njoh shumë mirë shtresat. Kështu që normalisht si temë e kam shumë të lehtë të sjell në mendje detaje, si flet për një personazh, si sillet.”

Skenaristja Dalina Buzi dhe regjisori Redi Treni për $NOB: 'Imazh

Të dy e konsideruan $NOB si sipërmarrje shumë të madhe, jo vetëm në karrierën e tyre, por edhe duke u bazuar te prodhimet kinematografike vendase, pasi $NOB është seriali me koston më të lartë ndonjëherë në Shqipëri, ku një episod zgjat 1 orë dhe është ndërtuar sipas parametrave të serialeve në platforma si Netflix apo HBO.

Referuar komenteve të njerëzve që e kanë parë $NOB dhe pritshmëritë pas transmetimit:

“U bë një vit që kemi nisur xhirimet dhe ndërkohë edhe janë montuar dhe janë treguar te miqtë tanë disa seri dhe kemi marrë komente të cilat i kemi reflektuar. Teknikisht, ky serial nuk ka asnjë gjë mangët nga ato që shohim në Netflix, HBO apo platforma të tjera. Ka një ndryshim. Do shohim një imazh alla Netflix, por do të dëgjojmë të flitet shqip,” tha regjisori Treni.

Kujtojmë se $NOB është testuar në publik. Producentët e serialit, Dalina Buzi dhe Ols Abazi, vendosën të bënin një testim standard si në çdo prodhim të ngjashëm dhe 89% e të anketuarve kanë dhënë vlerësimin maksimal për episodet dhe mezi presin të shohin vazhdimin. "Shqip është ky" është një nga komentet më të shpeshta të njerëzve që kanë parë episodet e plota ose trailerin.

Ata zbuluan se do të ketë një $NOB 2, puna për të cilin ka nisur. Të pyetur nëse Netflix është si ambicie, thanë:

“Këto janë çështje produksioni dhe menaxhimi që i takojnë një faze të dytë. Dëshira sigurisht është. Netflixi kryesisht merr filma që janë në një gjuhë më ndërkombëtare se shqipja. Vërtet parametrat mund të jenë të duhurat, përmbajtja mund të jetë e njëjta, por ndikon gjuha,” tha Treni. “Ti mund të futesh në Netflix, por nuk del në faqen kryesore. Nuk është ndonjë problem që të jesh në Netflix apo Amazon Prime, por që të dalësh në faqen kryesore dhe të të financojë është një gjë tjetër. Siç financoi ‘La Casa de Papel’ apo ‘Elite’ që njiheshin shumë pak në Spanjë. Fitore është që Netflix të thotë e dua këtë filmin/serialin,” shtoi Buzi.

Skenaristja Dalina Buzi dhe regjisori Redi Treni për $NOB: 'Imazh

Me një eksperiencë 20 vjeçare në fushën e tyre, $NOB është bashkëpunimi i dytë për Buzin dhe Trenin, pas 18 vjetësh. Në një nga postimet e hershme, Dalina Buzi tregoi njohjen e tyre, në vitin 2002, kur Buzi sapo ishte kthyer nga SHBA dhe punonte në Top Channel, Redi Treni do të ishte montazhieri i parë me të cilin ajo realizoi një reportazh mbi gjendjen e mjerë të Kinostudios post-rënies së komunizmit. Sipas rrëfimit të Buzit, Redi ishte i vetmi që arriti t’ia kuptojë konceptin dhe e solli formën në post-produksion ashtu siç ajo e kishte menduar. Pas 18 vjetësh ata u bashkuan sërish me të njëjtën temë “filmin”, në momentin kur Anabel Entertainment nisi bashkë-prodhimin me studion Nilor Film, ku Treni është pjesë.

Për më shumë detaje për $NOB: