Procedura CoolSculpting është në qendër të vëmendjes kohëve të fundit si pasojë e deklaratës së supermodeles Linda Evangelista, e cila paditi klinikën Zeltiq Aesthetic sepse trajtimi e la të “shpërfytyruar” dhe ajo nuk ishte vënë në dijeni për rreziqet. Ajo tha se mbeti "e deformuar" nga trajtimi.
Evangelista kërkon 50 milionë dollarë dëmshpërblim për të ardhurat e humbura dhe shqetësimet emocionale, duke thënë se tani ishte e papunë si modele dhe nuk ka fituar asgjë nga modelingu që nga viti 2016.
Siç mund ta keni lexuar, Evangelista iu nënshtrua procedurave të shumta midis viteve 2015 dhe 2016 për të zvogëluar yndyrën në kofshë, bark, shpinë, krahë dhe mjekër, por përjetoi një efekt anësor të rrallë.
Çfarë është CoolSculpting? Lexoni në vijim më shumë për përfitimet dhe rreziqet e mundshme.
CoolSculpting, e njohur ndryshe edhe si kriolipolizë, është një procedurë mjekësore që ndihmon në heqjen e qelizave të tepërta të yndyrës nën lëkurë.
Gjatë një procedure CoolSculpture, një kirurg plastik ose një mjek tjetër i licencuar përdor një mjet të veçantë për të ftohur pjesë të caktuara të trupit në temperaturën e ngrirjes. Procedura ngrin dhe vret qelizat dhjamore në pjesën që trajtohet. Brenda disa javësh pas trajtimit, këto qeliza yndyrore të vdekura prishen natyrshëm dhe derdhen jashtë trupit përmes mëlçisë.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka certifikuar CoolSculpting si një trajtim të sigurt mjekësor. CoolSculpting ka shumë përfitime krahasuar me trajtimin tradicional “liposuction”, sepse nuk është procedurë kirurgjikale, është joinvazive dhe nuk kërkon kohë shërimi.
Rreziqet dhe efektet anësore
Disa efekte anësore të zakonshme të CoolSculpting përfshijnë:
1. Ndjenja e tërheqjes së lëkurës gjatë trajtimit.
2. Dhimbje ose pickim në vendin e trajtimit. Fillojnë menjëherë pas trajtimit dhe zgjasin deri në rreth dy javë.
3. Skuqje të përkohshme, ënjtje, mavijosje dhe ndjeshmëri të lëkurës në vendin e trajtimit. Zakonisht largohen brenda 5 ditëve deri në disa javë.
4. Hiperplazia paradoksale dhjamore në vendin e trajtimit (efekti anësor që përjetoi Evangelista). Një efekt anësor shumë i rrallë, por serioz i CoolSculpting është hiperplazia paradoksale dhjamore. Ndodh më së shumti te meshkujt. Kjo do të thotë që qelizat yndyrore në vendin e trajtimit rriten shumë. Nuk është kuptuar plotësisht pse ndodh kjo. Ndonëse është një efekt anësor kozmetik dhe jo fizikisht i rrezikshëm, hiperplazia paradoksale e dhjamit nuk zhduket vetvetiu.
Kush duhet ta shmangë CoolSculpting?
CoolSculpting është një trajtim i sigurt dhe efektiv për zvogëlimin e yndyrës së trupit në shumicën e njerëzve. Sidoqoftë, ka disa njerëz që nuk duhet ta bëjnë këtë trajtim, si njerëzit që kanë probleme shëndetësore të tilla si krioglobulinemia, sëmundja aglutin e ftohtë dhe hemoglobulinuria e ftohtë paroksizmale.
Duhet të theksohet se kjo procedurë nuk është një trajtim për obezitetin.
Për ta përmbledhur: CoolSculpting ka disa përfitime mbi procedurat e tjera të eliminimit të yndyrës. Qelizat dhjamore të ngrira nga CoolSculpting nuk kthehen kurrë sepse trupi i eliminon ato. Rezultatet mund të fillojnë të shfaqen në vetëm pak javë, me shumicën e njerëzve që përjetojnë rezultate të plota tre muaj pas trajtimit përfundimtar.
Në lidhje me mundësitë për të përjetuar efekte anësore, duhet të flisni paraprakisht me mjekun tuaj.
Burimet: Healthline, WebMD