Shendeti i Gruas

Fushata kundër kancerit të gjirit: Mamografi falas në çdo spital rajonal

Shkruar nga Anabel

1 Tetor 2021

Fushata kundër kancerit të gjirit: Mamografi falas në çdo

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, prezantoi përmes një videoje në rrjetet sociale fushatën kundër kancerit të gjirit, në muajin dedikuar luftës ndaj kësaj sëmundje.

“Ne gratë duke u kujdesur për familjen, duke përmbushur detyrimet në punë, edhe me angazhimet e tjera familjare e shoqërore, shpesh herë harrojmë një gjë shumë të rëndësishme; kujdesin për shëndetin tonë. Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, për familjen, për prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në radhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten. Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos tek gratë. Ndaj në këtë tetor rozë do t’i lutesha çdo gruaje të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë,” u shpreh Manastirliu në mesazhin e saj.

Ministrja e Shëndetësisë tha se mamografia tashmë është siguruar në çdo spital rajonal.

“Programi ynë i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas. Vetëm duke patur shëndet të mirë, duke u kujdesur për veten, ne gratë mund të shpalosim potencialin tonë të plotë, në përmbushje të misionit tonë për mirërritjen e fëmijëve, për kujdesin ndaj familjes dhe për zhvillimin e shoqërisë. Unë besoj te forca e shembullit.”

Në video e fushatës, përpos ministres, u shfaqën edhe tri gra të cilat po fitojnë betejën me kancerin e gjirit.

Artikuj të rekomanduar: