Tre shkencëtarë fituan çmimin Nobel në fizikë në vitin 2021 për kontributet e tyre novatore ndaj kuptimit të sistemeve komplekse fizike - përfshirë mënyrën se si njerëzimi ndikon te klima e Tokës.
Fituesit, Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi do të ndajnë çmimin e paraqitur nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave me vlerë 10 milionë korona suedeze.
Gjysma e çmimit iu dha bashkërisht Manabe dhe Hasselmann për modelimin e tyre fizik të klimës së Tokës, kuantifikimin e ndryshueshmërisë dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale. Gjysma tjetër shkoi për Giorgio Parisi për zbulimin e tij për ndërveprimin e çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike.
"Zbulimet që u njohën këtë vit tregojnë se njohuritë tona për klimën mbështeten te një bazë e fortë shkencore, bazuar në një analizë rigoroze të vëzhgimeve. Laureatët e këtij viti kanë kontribuar që ne të kemi një pasqyrë më të thellë mbi vetitë dhe evolucionin e sistemeve komplekse fizike,” u shpreh gjatë ceremonisë Thors Hans Hansson, kryetari i komitetit Nobel për fizikën.