Aktori i “James Bond”, Daniel Craig, zbuloi se preferon të frekuentojë bare homoseksualësh sepse ka më pak të ngjarë të ngatërrohet në ndonjë zënkë.
“Dëgjo, unë kam shkuar në bare për homoseksualët që kur nuk mbahet mend dhe një nga arsyet është sepse nuk zihem shpesh aty,” tha Craig, i martuar me aktoren Rachel Weisz, për Bruce Bozzi në podkastin “Lunch With Bruce” në SiriusXM.
Ylli i “No Time to Die” u shpreh se ngatërrohej nëpër zënka kur shkonte në bare të tjera.
“Agresiviteti në baret hetero më bezdiste shumë kur isha i ri, sepse thjesht nuk doja të përfundoja duke u grushtuar. Ndodhte shumë shpesh,” tha ai.
Craig shtoi se për këtë arsye, baret për homoseksualë ishin “një vend i mirë për të shkuar”. “Të gjithë ishin në rehatinë e tyre. Nuk ke nevojë të thuash vërtet seksualitetin tënd." Përpos kësaj, kishte edhe shumë vajza.
“Ishte një vend i sigurt. Dhe mund të takoja vajza atje sepse kishte shumë vajza që shkonin për të njëjtën arsye që isha dhe unë. Kështu që kishte dhe një motiv të fshehtë.”
Ai dhe Rachel Weisz u martuan në vitin 2011 dhe u bënë prindër të një vajze në vitin 2018. Ylli i 007 ka edhe një vajzë 29-vjeçare, Ella, nga martesa me ish-gruan Fiona Loudon.