Zendaya zgjodhi dizajneren shqiptare Nensi Dojaka për të përfunduar turneun promovues të filmit “Dune”.
Aktorja veshi një fustan të koleksionit Pranverë 2022 të Dojakës për premierën e filmit në Londër. Fustani është frymëzuar nga vitet ’90 dhe detaje të ngjashme janë parë edhe te koleksionet e mëparshme, të cilat janë veshur nga Bella Hadid, Emily Ratajkowski, Sophie Turner, Dua Lipa e të tjerë të famshëm.
Fustani në nuancat e ngjyrës kafe kishte një bust me zbukurime grafike, me në qendër një zemër të kuqe.
“Kaq e emocionuar për këtë moment. Faleminderit pafundësisht @luxurylaw për vizionin tuaj të bukur dhe këtë mundësi të jashtëzakonshme për të veshur @Zendaya që lë pa frymë. Faleminderit Zendaya që e bëre këtë veshje edhe më të bukur.” – shkroi dizajnerja Nensi Dojaka.
View this post on Instagram
Në fillim të shtatorit, Dojaka u shpall fituese e çmimit LVMH për Dizajnerët e Rinj. Nensi mundi rreth 1,900 aplikantë nga 110 vende për t'u larguar me një çmim të madh prej 300,000 eurosh, plus një vit trajnim nga ekspertët e gjigantit luksoz LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton, që përfshin markat Louis Vuitton, Dior, Guerlain, Givenchy, Off-White, Stella McCartney, Marc Jacobs, Fendi etj.
Disa nga komentet e bëra për Nensin ishin:
"Juria ka votuar njërëzi për Dojakën. Diçka e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë", "Ajo bëri një prezntim shumë të mirë. Është origjinale në çdo këndvështrim", "Cilësia është e jashtëzakonshme dhe ajo është kaq e thjeshtë. E mrekullueshme", "Nuk mendoj se ka një grua që do vishte punimet e Dojakës dhe nuk do ndihej mirë", "Ky lloj fustani mund të jetë klasikja e re" etj.
Nensi tregoi se ishte "shumë e emocionuar për çmimin dhe s'e nuk e priste".
"Kur fillova, kisha një bazë klientësh shumë të rinj, dhe tani me koleksionin që po zhvillohet me një pamje më të përshtatur dhe më të fortë, gjërat po ndryshojnë dhe më pret një audiencë më e gjerë. Dua t'i bëj krijimet edhe më të gjithanshme. Tani, do të kem edhe më shumë mundësi për të zhviluar gjëra", shton ajo.
Nensi është stiliste shqiptare nga Tirana, e cila ka përfunduar studimet për modë në Londër, ku edhe jeton. Ajo është e njohur për fustanet e saj me prerje grafike dhe detaje sensuale.