$NOB

Brarend Akçiu dhe Olta Beqiri tregojnë për aktrimin, komentet dhe pritshmëritë për $NOB

Shkruar nga Anabel

2 Dhjetor 2021

Brarend Akçiu dhe Olta Beqiri tregojnë për aktrimin, komentet

Nëse për Brarend Akçiun aktrimi nuk ishte krejtësisht terren i panjohur, pas disa përvojave të shkurtra në teatër, për Olta Beqirin ishte një rrugëtim i pamenduar që u kthye në pasion. Në një intervistë për emisionin “Kafe shqeto” me Flavio Qarrin, dy aktorët e $NOB, të njohur tanimë si Kristela dhe Bojkeni, ndanë me publikun disa detaje për pritshmëritë ndaj serialit dhe gjithë përvojën e tyre në $NOB.

“Po ndihet suksesi i serialit. Njerëzit na komentojnë dhe në fakt nuk e prisja shumë, sepse thjesht po punoja për serialin pa e ditur nëse do ndiqej apo jo. Ishte një kënaqësi personale. [Paranoja e dështimit] është e tmerrshme. E kisha pritshmërinë të ulët vetëm si refleks i imi, sepse në fakt puna ishte [shumë e mirë]. Ne punonim me orë të tëra dhe tani, pa frikë, mund të themi se pritshmëritë kanë qenë pozitive. Njerëzit na kanë komentuar, na kanë pëlqyer, ka pasur edhe kritika,” u shpreh Olta.

Brarendi shtoi se në “episodet që do të vijnë, ka shumë ndryshim historie dhe shumë shokime që do të ndodhin e shumë karaktere që do të evolojnë”.

Brarend Akçiu dhe Olta Beqiri tregojnë për aktrimin, komentet

Aktrimi është një fushë të cilën tashmë të dy e kanë përqafuar, ndonëse për Oltën nisi si diçka të cilën do ta bënte një herë në jetë. “Nisi si diçka që do e bëja vetëm një herë, por tani më pëlqen realisht. Është një pasion,” tha ajo.

Përpos aktrimit, ata folën për $NOB dhe prodhime të tjera artistike, parë këtë herë nga syri i shikuesit dhe vlerësuan trendin për të patur edhe prodhime shqiptare. “[Nuk duhet vetëm t’i përkthejmë nga Netflixi]. Shumë mirë që po ndodhin prodhime shqiptare. Unë mbaj mend që në karantinë, para $NOBIT, diskutoja me miqtë e mi dhe thamë që ende mbahet mend ‘Komuna e Parisit’ ose ‘Njerëz dhe fate’ dhe do të doja shumë që të kishte dhe të tjera, pa e ditur që do të isha unë pjesë e diçkaje të tillë. Jam shumë i lumtur që po ndodh si gjë,” u shpreh Brarendi.

Brarend Akçiu dhe Olta Beqiri tregojnë për aktrimin, komentet

Në $NOB, Olta dhe Brarendi luajnë rolin e Kristelës dhe Bojkenit, një çift që pas disa krizave, vendosin të ndahen paqësisht, të paktën në dukje. Nga çfarë kemi parë, vështirë se ditët pas ndarjes të jenë aq romantike sa mendon Bojkeni.

$NOB transmentohet çdo të diel në orën 20:00 në Top Channel; seritë ritransmetohen të mërkurën në orën 23:30.