Pikë së pari, pse mendon që kënga e Semit është një dedikim për Borën dhe Donaldin? Nuk e mendoj unë. Ky është perceptimi që të tjerët duan që unë të mendoj.
Që do të thotë? Që do të thotë se nuk mund të publikosh një këngë me tekst “para syve të botës rashë”, t’i këndosh një çifti të ndarë, në një dhomë që duket sikur imiton muret e “Big Brother VIP” dhe mbi të gjitha të vendosësh një foto të ngjashme me Puthjen e Gustav Klimt e të pretendosh që nuk ka lidhje me Borën dhe Donaldin.
Po askush nuk ka pretenduar që ka apo nuk ka lidhje. Semi jo të paktën. E qartë, por a është e nevojshme? Fundja detajet nuk janë vendosur rastësisht.
Pra, ta marrim të mirëqenë që nënkupton historinë e Donaldit dhe Borës? Besoj se mjaftojnë detajet e sipërpërmendura.
Dakord. Pse mendon që mund të bëjë këngë për ta. E thjeshtë. Çështje marketingu.
Më shumë informacion...? Bëhet fjalë për një parim të njohur: Çdo gjë që është trend, shet. Në këtë rast, Donaldi dhe Bora janë trend, janë lehtësisht të klikueshëm, ngjallin interes për njerëzit. Kjo përkthehet në klikime për këngën e Semit. E klikimet përkthehen në para, në koncerte, në intervista etj.
E kuptueshme. Mëse e kuptueshme. Prandaj them që Semi mund të bëjë këngë për Donaldin dhe Borën.
A nuk është shfrytëzim? Këtë nuk mund ta them. Kjo është çështje këndvështrimesh. Njerëzit mund ta mendojnë si të duan. Ndoshta është, ndoshta jo. Sidoqoftë, po e quaj truk marketingu.
Po ç’problem ka këtu. Jo çdo gjë që “shet”, vlen.
Po a the që përkthehet në klikime, intervista etj? Po, por mos po harrojmë planin afatgjatë?!
Cilin? Le të flasim më konkretisht: Përpara hyrjes në “Big Brother VIP”, Semi nuk ishte fort aktive në muzikë. Shtoj këtu edhe faktin që para këngës “Jetike” në “Këngën Magjike”, ajo i përkiste një zhanri muzike jo fort të përqafuar nga masa. Muzika rock është fantastike, por në Shqipëri nuk gëzon të njëjtin popullaritet me llojet e tjera. Kur flas për popullaritet, i referohem koncerteve, intervistave, klikimeve në Youtube etj. Muzikantët e rock-ut gjithmonë dallojnë për qasjen e veçantë që i shmanget të qenit komercial.
E kuptoj. Po thua që pjesëmarrja në BBV ishte një mënyrë që Semi të njihej më shumë? Po. Të prezantohej për njerëzit që nuk e njihnin. Të riprezantohej për ata që e njihnin si “Semi i Bojkenit” nga marrëdhënia me Bojken Lakon dhe të shfaqte një tjetër anë të sajën.
A ia arriti? Deri-diku po. Semi tregoi se kurrë nuk kishte patur lidhje të fortë me muzikën rock; gjithmonë i kish pëlqyer R&B e dëgjonte Beyonce-n. Publikimi i “Jetike” nën vulën e Threedots e paralajmëroi këtë kapitull të ri në jetën e saj. Pra, u duk sikur po hidhte hapat e parë drejt ndryshimit dhe publiku po e njihte ose shihte ndryshe.
Pse deri-diku? Sepse dashur ose padashur, Semi e gjeti veten ne mes të historisë së Donaldit dhe Borës. Fakti që ishte brenda me ish-të dashurin e shoqes së ngushtë, e përqendroi vëmendjen te ky raport – Semi, shoqja e Borës. Semi, shoqja e Donaldit. Ç’mendon Semi për Donaldin dhe Borën? E kështu me radhë.
Po a ishte e shmangshme? Mendoj që jo. Sidoqoftë, rrugëtimi në “Big Brother” patjetër që i ka shërbyer për mirë. Si këngëtare shumë e mirë, Semi ka goxha potencial.
Megjithatë, pse mendon që nuk duhet të publikojë këngë për Donaldin dhe Borën? Për aq kohë sa ka potencial të jetë Semi, pa përcaktor nga mbrapa, dedikimet Bora-Donald mund të mos jenë të vlefshëm në planin afatgjatë. Në të kundërt, rrezikon të jetë “Semi, shoqja e Borës”.