High Tech

Adoleshenti që mërziti Elon Musk tani po gjurmon avionët privatë të oligarkëve rusë

Shkruar nga Anabel

2 Mars 2022

Adoleshenti që mërziti Elon Musk tani po gjurmon avionët

Jack Sweeney, 19-vjeçari që u bë i famshëm për gjurmimin e vendndodhjes së avionit privat të Elon Musk, ka një objektiv të ri: oligarkët rusë.

Studenti i IT-së në Universitetin e Florida-s ka krijuar një llogari të re në Twitter ku ndjek avionët e miliarderëve rusë, teksa ata përballen me presionin ndërkombëtar në rritje mbi pushtimin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Llogaria në Twitter, me emrin Russian Oligarch Jets, tregon oraret dhe hartat se kur dhe ku nisen dhe ulen avionët privatë të disa prej miliarderëve kryesorë të Rusisë. Gjurmimi filloi të dielën, pasi Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan saksione të reja për rrethin e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin dhe paralajmëruan se do të bllokojnë asetet e tyre, duke përfshirë avionët, jahtet dhe shtëpitë luksoze.

Pavarësisht sanksioneve të ashpra ndërkombëtare, manjatët rusë ende duket se po lëvizin – ose të paktën aeroplanët e tyre po lëvizin, pasi të dhënat nuk zbulojnë se kush është në bordin e fluturimeve.

Për t’i gjurmuar ata, Sweeney përdori një listë të avionëve privatë dhe helikopterëve që po gjurmoheshin nga një blog me emrin Radar Spots.

19-vjeçari u bë i famshëm në fillim të shkurtër pasi krijoi një "bot" në Twitter që gjurmonte vendodhjen e avionit privat të Musk dhe postonte përditësime të vendodhjes së tij në kohë reale. Një "bot" është një program autonom në internet ose një rrjet tjetër që mund të ndërveprojë me sistemet ose përdoruesit.

Elon Musk u përpoq ta paguante që ai të mos e gjurmonte më, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve për të dyja palët.