Bota

Votohet rezoluta e jashtëzakonshme: OKB dënon Rusinë dhe i bën thirrje të ndalojë sulmet

Shkruar nga Anabel

2 Mars 2022

Votohet rezoluta e jashtëzakonshme: OKB dënon Rusinë dhe i

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka votuar me shumicë dërrmuese për një rezolutë që dënon sulmet e Rusisë në Ukrainë dhe bëri thirrje për tërheqjen e menjëhershme të forcave të saj.

Në një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 141 nga 193 shtetet anëtarë votuan pro rezolutës, 35 abstenuan dhe 5 votuan kundër.

Rezoluta "dënon me termat më të fortë agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës" dhe kërkon që "Federata Ruse të ndërpresë menjëherë përdorimin e forcës kundër Ukrainës" dhe "të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake".

Në seancën e parë urgjente që nga vitit 1997, vetëm pesë vende votuan kundër: Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria dhe Bjellorusia. Madje edhe Serbia, ndonëse një aleat i ngushtë i Rusisë, votoi pro rezolutës që dënon sulmet në Ukrainë.

Të premten, Rusia ishte vota e vetme kundër një rezolute të ngjashme në Këshillin e Sigurisë, por për shkak se Rusia është një nga pesë fuqitë me veto, rezoluta nuk u mbështet, kështu që aleatët e Ukrainës ia referuan çështjen Asamblesë së Përgjithshme.

Rezolutat e Asamblesë nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ato kanë ndikim në pasqyrimin e opinionit ndërkombëtar.

Presidenti i Ukrainës falenderoi shtetet për mbështetjen. “U jam mirënjohës të gjithëve dhe çdo shteti që votoi pro. Ju keni zgjedhur anën e duhur të historisë,” tha Zelenskyy.

Lufta në Ukrainë - artikuj të rekomanduar: