Konfliktet janë të pashmangshme në çdo marrëdhënie njerëzore si në familje, në shoqëri, në punë, pak më tepër edhe në çift për të cilën do flasim në këtë artikull ku do jenë të listuara disa këshilla dhe shpjegime sipas një grupi psikologësh-terapistë çiftesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas studimeve të tyre, lajmi i mirë (për ju që s’bëni dy ditë pushim) është se çiftet që zihen më pak janë ata që ndahen më shpejt sepse tregon një lloj mospërfshirje ndaj pakënaqësive të palës tjetër. Megjithatë debatet duhet të jenë gjithmonë konstruktive duke mos përfshirë kurrë inat, urrejtje apo ofendime.
- Vini re kohën e zënkave më të shpeshta për të kuptuar arsyen
Gjatë terapive në çift, psikoterapistët kanë dalë në përfundimin që orari i zënkave më të shpeshta është ai pas pune (sidomos rreth 16:00-18:00) kur sapo arrin në shtëpi ose sapo nis biseda virtualisht, duke patur thuajse të njëjtat arsye “pse s’po më pyet se si e kalova në punë; pse s’po interesohesh për ditën time?” etj, ku njëri prej partnerëve (zakonisht burri) është pak më tepër indiferent dhe shmangës derisa të marrë pak veten. Ajo çfarë sugjerohet në këtë rast është thjesht një përshëndetje e ngrohtë, një puthje dhe të merrni kohën tuaj për t’u ndërruar, për t’u relaksuar duke u rikthyer tek partneri/ja pas disa minuash për të biseduar për ditën.
- Përcaktoni një orar/moment për çdo konflikt
Duket e çuditshme si këshillë, por psikologët kanë provuar që në rast të nisjes së një debati gjëja më e mirë që mund të bëhet është të shtyhet për një moment të dytë duke thënë diçka të tipit “e diskujtojmë pas darke; mendoj ta diskujtojmë më mirë nesër në mëngjes” etj, gjithmonë në varësi të problematikës. Sipas tyre, kjo është mënyra më e mirë që secili të mendojë si duhet se çfarë do të thotë, të qetësohet dhe të analizojë nëse është vërtet kaq problematike ajo që ndodhi. Një arsye tjetër është që të ketë secili mundësi të kontrollojë fjalët e tij sepse shpeshherë thuhen shumë gjëra të panevojshme në gjaknxehtësi e sipër për të cilat ndodh të pendohemi më vonë.
- Kërkoni pushim
Për thuajse të njëjtat arsye si më sipër, këshillohet që gjatë një debati nëse vini re që situata po shkon "në drejtim të paditur" e mira është të kërkoni pak minuta pushim, sa për t’u qetësuar dhe për të reflektuar mbi situatën. Në rast debati, sidomos kur po "akuzoni/sulmoni" ju dikë, instiktivisht personi tjetër do tentojë të mbrohet duke mos patur qetësinë e as dëshirën për të gjetur një zgjidhje me ju, por duke u kthyer kundër jush.
- Bëj kërkesë, jo ankesë
Përgjithësisht zënkat nisin me fjalët “ti gjithmonë…” në vend që të thuhet drejt kërkesa që ke “do doja që ti të bësh këtë gjë për mua…” dhe problemi është se njerëzve iu duket më e thjeshtë që të ankohen pse partneri/ja nuk e bën kurrë diçka sesa ta kërkojnë vetë.
- Dëgjo, kupto dhe kërko falje nëse është e nevojshme
Problemi kryesor në komunikim (si një shprehje e Stephen Covey) është se njerëzit nuk dëgjojnë për të kuptuar, por për t’u përgjigjur, kështu që dëgjoni njëherë me vëmendje atë që po thuhet, reflektoni, lëreni pas krenarinë dhe kërkoni falje nëse është e nevojshme. Ashtu siç njerëzit kanë gjuhën e tyre të dashurisë, ashtu duhet të jetë edhe mënyra si kërkojmë falje, me fjalët ose me veprimet e duhura.
Artikuj të rekomanduar: