Kuzhina

Nëse ju duhej një recetë *e qartë* ballokumesh, ja ku e keni

Shkruar nga Anabel

13 Mars 2022

Nëse ju duhej një recetë *e qartë* ballokumesh, ja ku e keni

Ne nuk mund ta festojmë kurrsesi hyrjen simbolike të pranverës nëse s’ka ballokume. Ëmbëlsira tradicionale e zonës së Elbasanit, është kthyer tashmë në një traditë për Ditën e Verës. Të gjitha amvisat e kanë me merak përgatitjen e ballokumeve, por për fat të keq ndonjëherë s’dalin siç duhen. Në vijim gjeni dy receta, një më të thjeshtë si edhe recetën tradicionale të Elbasanit.

Përgjithësisht, receta më e lehtë është e tillë:

- 500 gr gjalpë
- 500 gr sheqer
- 100 gr miell misri dhe 100 g miell gruri
- 8 kokrra vezë.

Pasi kemi shkrirë gjalpin, vazhdojmë me hedhjen e sheqerit në enën e caktuar dhe i rrahim derisa të krijohet një si tip shkume. Një nga një, shtojmë vezët. Më pas hedhim miellin e misrit e të grurit dhe i trazojmë që të mos krijohen kokrriza. Në fund, krijojmë format rrumbullake dhe i pjekim në furrë diku tek 170-180 gradë, për gati 40 minuta.

Kjo është një recetë e thjeshtë që mund ta bëjë kushdo, por nëse keni provuar ballokumet e Elbasanit, receta e mësipërme s’është për ju. Ballokumet e vërteta, tipike siç i bëjnë amvisat nga Elbasani kërkojnë më shumë mundim dhe përbërës. Jo më kot kanë atë shije!

Sipas ArgoWeb, finja është një përbërës unik i ballokumes. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit dhe shërben për t'i bërë të shkrifëta. Edhe ena duhet të jetë prej bakri, por mund të përdorni dhe një tas të madh qelqi.

Përbërësit:

1 kg sheqer (jo i bluar)
1 kg mielli misri
500 gr gjalpë i freskët (dhie do të preferohej)
8 kokrra vezë

Gjysmë filxhani kafeje me ujë finje (përgatitet përmes hedhjes së dy-tre lugë gjelle nga hiri i zjarrit në një gotë me ujë, e cila lihet përreth 30 minuta dhe më pas kullohet me kujdes) ose qumësht në mungesë të tij.

Në enën e bakrit hedhim sheqer dhe gjalpin e shkrirë dhe masa përzihet për disa minuta. Më pas shtojmë 1 kokërr vezë dhe vazhdojmë me përzierjen. Të njëjtën gjë bëjmë edhe për vezët e tjera. Duke mos ndaluar përzierjen shtojmë ujin e finjës.

Hidhet ngadalë mielli duke vazhduar përzierjen. Miellin hidheni pak nga pak në mënyrë që masa të bëhet e njëtrajtshme.

Pasi jemi siguruar që s’ka kokrriza, fillojmë edhe bëjmë format me dorë.

Më pas, i vendosim në tavën e lyer me gjalpë dhe i pudrosim me miell misri. Furra duhet të jetë e pangrohur dhe temperatura diku tek 180-200 gradë.

Shënim: Ballokumet vendosini në distancë me njëra-tjetrën, sepse masa e tyre rritet gjatë pjekjes!

Për më shumë detaje, mund të ndiqni përgatitjen e ballokumeve hap pas hapi, sipas recetës tradicionale të një zonje nga Elbasani.