Udhetim

Keni plane për të udhëtuar jashtë: A duhet t'i anuloni për shkak të luftës në Ukrainë?

Shkruar nga Anabel

17 Mars 2022

Keni plane për të udhëtuar jashtë: A duhet t'i anuloni

Me verën që po afron, jo pak njerëz kanë menduar ose bërë plane konkrete për të udhëtuar jashtë vendit, por janë të pashmangshme pikëpyetjet për shkak të luftës në Ukrainë.

Në një raport të bërë nga kompania e njohur e marketingut, MMGY Global, lufta në Ukrainë ka dy herë më shumë gjasa të ndikojë në planet e udhëtimit të amerikanëve në Europë sesa pandemia e koronavirusit. Raportimet u referohen vetëm amerikanëve, por trendi me siguri është i njëjtë për udhëtarë në mbarë botën.

Sipas një raporti nga aplikacioni i gjurmimit të fluturimeve Hopper, kërkimet për fluturime vajtje-ardhje në Europë nga Shtetet e Bashkuara ishin në rritje ndërkohë që vala e variantit Omicron u qetësua, por interesi ra menjëherë pas luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ju mund të bëni udhëtime të sigurta. Një përfaqësues i Rick Steves Europe – lider në Amerikë për udhëtimet europiane – tha për CNN se do të realizojnë udhëtime në Europën Lindore, përfshirë edhe Poloninë në kufi me Ukrainën. Duket se Europa është e hapur për udhëtarët pavarësisht krizës në Ukrainë.

Ekspertët e udhëtimit dhe sigurisë thonë se nuk ka nevojë anuloni udhëtimet, të paktën për rajonet në Europën Perëndimore. Për vendet afër Ukrainës situata ndryshon disi – kanë nisur anulimet.

Sipas ekspertëve, duhet që të qëndroni gjithmonë të informuar për ngjarjet aktuale, pavarësisht se ku po udhëtoni dhe të keni një plan rezervë nëse gjërat shkojnë keq, qoftë për shkak të pandemisë apo luftës.

Duhet të keni parasysh:
1. A ka krizë refugjatësh? (sepse mund të ndikojë te transporti publik i ngarkuar, dhomat e hoteleve)
2. A ka protesta?
3. A rrezikon të përfshihet nga një konflikt i armatosur?
4. Si është situata e Covid?