Mikroplastika është gjetur më parë te feçet, foshnjat, madje edhe fetuset, mirëpo për herë të parë, shkencëtarët dokumentuan se mikroplastika ka hyrë edhe në qarkullimin e gjakut.
Grimcat mikroskopike, disa deri në 0,0007 mm - që është rreth një e njëzeta e gjerësisë së një fije floku - u zbuluan te 77% e dhuruesve të shëndetshëm të gjakut të testuar në Holandë në një hulumtim të vitit 2021.
Gati 80% e dhuruesve të gjakut kishin grimca plastike. PET (polietileni tereftalat), i cili përdoret për prodhimin e shisheve të pijeve, u gjet në 50% të donatorëve, ndërsa polistireni i përdorur për ambalazhim u zbulua në 36%. Grimca e tretë më e zakonshme ishte polietileni, që përdoret zakonisht për të bërë qese plastike për blerje, i cili u gjet në 23% të pjesëmarrësve.
“Gjaku si përbërës përbën 6-7% të peshës trupore te njerëzit. Ai depërton në organet e trupit dhe është rruga e transportit të oksigjenit, lëndëve ushqyese dhe potencialisht edhe e grimcave plastike rreth trupit në inde dhe organe të tjera,” thotë studimi.
Hulumtimi thekson se, "është shkencërisht e besueshme që grimcat plastike mund të transportohen në organe nëpërmjet qarkullimit të gjakut".
Mikroplastika është zbuluar në të gjitha zonat e planetit, nga krijesat e detit deri te pyjet tropikale dhe majat e maleve. Grimcat e vogla mund të hyjnë në trupin e njeriut në shumë mënyra, por shumica ka të ngjarë të hyjnë përmes gëlltitjes ose thithjes.
Koha e qëndrimit të grimcave plastike në qarkullimin e gjakut mbetet e panjohur për momentin, por shkencëtarët janë të shqetësuar se grimcat mund të barten nga qelizat imune në gjak, të cilat potencialisht mund të ndikojnë te imuniteti i trupit. Megjithatë nevojiten më shumë studime për të përcaktuar rrezikun për njerëzit.
Burimi: Environmental International